PARATHENIE
- Details
- Hits: 4091
Prof.As.Dr. Gjergj Sinani
Shënime biografike
1805: lind në Paris Aleksis de Tokëvil prej një familje të vjetër fisnike normande.
1820 - 1823: kryen studimet në Kolegjin e Metz ku i jati, konti Hervé ishte prefekt
1826: diplomohet në Paris për drejtësi.
1826 - 1827: udhëton në Itali dhe Siçili. Në 1827 emërohet gjyqtar dëgjues në Versajë.
1829 - 1830: Asiston në leksionet e Gizosë, në Sorbonë, mbi qytetërimin europian.
1831 (prill) - 1832 (mars): udhëtimet në Amerikë nën shoqërinë e Gustav de Bomont.
1833: botimi, në bashkëpunim me Bomont, të raportit mbi sistemin ndëshkimor amerikan me titull, "Mbi sistemin ndëshkimor në SHBA dhe zbatimin e tij në Francë".
1832 - 1835: jep dorëheqjen nga posti i qyqtarit. Redakton vëllimin e parë të veprës "Demokracia në Amerikë". Viziton Anglinë në gusht të vitit 1833.
1835: botohet vëllimi i parë i veprës "Demokracia në Amerikë". Udhëton për herë të dytë në Angli. Martohet me anglezen Mary Mottley, që ai e kishte njohue në Versajë para Revolucionit të 1830.
1836: udhëton në Zvicër. Boton një ese mbi "Gjendjen sociale dhe politike të Francës para dhe gjatë 1789".
1837: dështon në zgjedhjet legjislative në zonën e Valonjës (Manshë), pranë kështjellës së tij.
1838: Zgjidhet anëtar i Akademisë të shkencave morale dhe politike.
1839: Zgjidhet deputet i zonës së Valonjës. Aktiviteti i tij parlamentar ilustrohet nga tre raporte të mëdha; mbi heqjen e skllavërisë në kolonitë (1839), mbi reformën e burgjeve (1843), mbi çështjen e Algjerisë (1847).
1840: Botohet vëllimi i dytë i "Demokracia në Amerikë".
1841: Agjidhet në Akademinë franceze. Udhëton për herë të parë në Algjeri.
1848: Ruan mandatin legjislativ në Asamblenë kushtetuese, pas Revolucionit të shkurtit. Anëtar i komisionit i ngarkuar për hartimin e kushtetutës së re.
1849: Udhëtimi i parë në Gjermani. Në maj zgjidhet në Asamblenë legjislative. Qershor - Tetor, ministër i punëve të jashtme të princit Lui Napoleon, i cili ishte president i republikës franceze që nga dhjetori i vitit 1848.
1850 - 1851: Redakton "Kujtimet". Qëndron në Sorrente për arsye shëndetësore. Korrik 1851, harton raportin për Asamblenë legjislative në lidhje me rishikimin e kushtetutës. Dhjetor 1851, i kundërvihet grushtit të shtetit të Lui Napoleonit, i cili e shpalli veten Napoleoni III. Heq dorë nga çdo aktivitet publik.
1852: Fillon punën që do ta shpjerë në redaktimin e veprës "Regjimi i vjetër dhe Revolucioni" dhe që ai e konsideronte si vëllimi i parë i një historie mbi revolucionin.
1853: Punon në arkivat e Tur.
1854: Udhëtimi i dytë në Gjermani..
1856: Boton veprën "Regjimi i Vjetër dhe Revolucioni".
1857: Udhëtimi i fundit në Angli.
1859: Vdes në Kanë.
Sistemi konceptual i veprës "Demokracia në Amerikë"
Nga një udhëtim që nisi si një studim për sistemin ndëshkimor në Amerikë, Tokëvili, në fakt, siç i shkruante një miku "Sistemi ndëshkimor ishte një pretekst; unë e kam marrë si një pashaportë që do të më mundësonte që të depërtoja kudo në SHBA", ai na dha veprën më të madhe të filozofisë politike mbi bazën e një përvoje konkretë, siç ishte Revolucioni amerikan. Udhëtimi në Amerikë i ofroi këtij aristokrati të ri, me një mendje sistematike, një laborator të dyfishtë, ekzistencial dhe konceptual. Për të Amerika përfaqësonte shembullin e një përvoje, si të thuash kimikisht të pastër, të demokracisë. Kur ai e shkroi këtë vepër kombet europiane ndodheshin në mes të rrugës ndërmjet aristokracisë dhe demokracisë, të cfilitura nga konfliktet e këtyre dy botëve, shpesh duke rënë në prehrin e formës më ekstreme të demokracisë që është revolucioni. Shembulli amerikan përbënte të ardhmen e tyre, por në të njejtën kohë u ofronte atyre një përvojë për ta menduar këtë të ardhme, në ënyrë që të nxirrnin maksimumin e përfitimeve dhe minimumin e ekceseve që vinin nga liria.
Që të kuptohet lidhja e ngushtë ndërmjet udhëtimit amerikan dhe analizës "franceze" të Tokëvilit duhet të kemi parasysh edhe perspektivën ndërmjet Amerikës dhe Europës. Në radhë të parë ai shtron problemin e rëndësisë së ligjeve dhe zakoneve në qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane, në kundërshtim me atë që ai e quante "shkaqet materiale", domethënë veçoritë e botës së re dhe privilegjet e saj në lidhje ma marrëdhëniet e njeriut me hapsirën. Kështu, Tokëvili ndodhet përballë një problemi klasik dhe thelbësor të shkencave sociale, që konsiston në izolimin e rolit dhe ndikimit të një variabli ose të një tërësie të kufizuar variablash mbi tërësinë e një procesi. Ai e ve re shumë mirë vështirësinë. Prova është se ai kërkon si pikë krahasimi një vend jashtë Amerikës, të privuar nga përfitimet gjeografike, por të pajisur me ligje dhe zakone të krahasueshme, por që ai nuk e gjen. Prandaj ai del në përfundimin se në mungesë të objektit krahasues "mund të kuturisësh vetëm përmes opinionesh" (De la Démocratie en Amerique, Flamarion, 1981, Paris, V. I, f. 323).
Pasazh tipik në masën që shprehet mënyra e tij thelbësore e të menduarit dhe të provuarit dhe që është metoda krahasuese. Sa herë që ai ka një ose disa ide, si hipoteza shpjeguese te fenomenit, për të cilin përpiqet të gjejë arsyet e qenies së këtij fenomeni, Tokëvili ia nënshtron provës së "terreneve" të ndryshme. Kur nuk gjen terren të qëndrueshëm, në raport me problemin e shtruar, ai "kuturis në opinionet", domethënë në opinione të paprovueshme, por të përafërta me to. Pra, Amerika përbën një nga polet e kësaj vajtje ardhje intelektuale që përcakton linjën e tërë veprës së tij.
Por, si gjithmonë në shkencat mbi njeriun, nuk ekzistojnë terma krahasimorë rigorozë. Europa, jo vetëm që nuk i ka "avantazhet fizike" të Amerikës, por ajo karakterizohet nga disa tipare historike, që ndryshojnë shumë nga ato të botës së re. Ndër to Tokëvili përmend numrin e banorëve, qytetet e mëdha, ushtritë dhe "ndërlikimet e politikës së saj". Këto e bëjnë të vështirë transplatimin e ligjeve amerikane në Europë. Kjo është arsyeja që ai mendon se mund të supozohet, që një popull demokratik të organizohet në një mënyrë tjetër nga ai amerikan.
Meëgjithatë, vlera universale e analizës së tij për demokracinë amerikane është ekzistenca e një problemi të përbashkët për popullin amerikan edhe popujt europianë. Ky problem i përbashkët lidhet me atë se njerëzit nuk ndryshojnë shumë në Amerikë dhe në Europë dhe ata kanë të njejtat pasione, që janë karakteristike për gjendjen sociale demokratike; padurimi për fatin e tyre, shqetësimi për tu dukur, dëshira për atë që është më lart. Këtë gjendje shpirtërore amerikanët e kanë bërë natyrë të shoqërisë së tyre dhe motorrin e saj, por, merita e tyre është se ata i kanë kanalizuar këto përmes të drejtës, fesë, institucioneve, zakoneve. Edhe popujt europiane ndodhen nën kurthin e pasioneve sociale identike, ndodhen përballë të njejtit fenomen institucional, në kuptimin e gjerë të fjalës: si të organizohet këto pasione në ligje dhe në zakone?
Një problem i tillë ishte i vështirë për tu zgjidhur për ppujt europiane, të cilët ishin më pak "demokratik" se "revolucionare" (ai ishte bashkohës i revolucioneve të mëdha në Francë). Kështu, në vëllimin e dytë ai bën një dallim thelbësor, përmes të cilit shpjegon stabilitetin politik dhe konsensusin amerikan. Ai tregon se gjendja sociale demokratike nuk i shkon revolucioneve si rezultat i një rrejti mjaft të ngjeshur mikro - interesash konservatore që i krijojnë dhe i drejtojnë ato. Përkundrazi, është pabarazia që të shpie në revolucion, që shpuri në shkatërrimin e gjendjes sociale aristokratike dhe në ideologjinë e pabarazisë, që francezët e bënë, por që, për Tokëvilin, ata ruajtën pasionet dhe një gjendje shpirtërore pak të favorshme për qëndrueshmërinë e institucioneve. "Në Amerikë kanë ide dhe pasione demokratike, shkruan ai, në Europë ne kemi akoma pasione dhe ide revolucionare" (V. II, f. 316).
Me fjalë të tjera, kombet europiane kanë arritur në një gjendje sociale demokratike, një gjendje shpirtërore demokratike, pa arritur që të krijojnë institucionet koresponduese për shkak të institucioneve të mëparshme, traditave politike ose fetare që ishin si kundërpeshë ndaj demokracisë. Prandaj, thotë ai, historia e tyre karakterizohet nga heshtja e popujve pasivë dhe të demoralizuar, përballë qeverive të forta dhe të organizuara, prelud i një situate të ngjashme me periudhën e fundit të perandorisë romake. Dhe përfundimi i tij merr tipare profetike dhe që dëshmon për forcën analitike të mendjes së tij kur shkruan: "Për sa më takon mua, kur shikoj gjenjen ku kanë arritur tashmë disa kombe europiane dhe atë ku priren të gjithë të tjerët, jam i prirur të besoj se shpejt midis tyre nuk do të ketë më vend veçse për lirinë demokratike ose tiraninë e Qezarëve".(V.I, f.424)
Tokëvili ishte i pari mendimtar i kohëve moderne që ndërmori një studim të përgjithshëm mbi mënyrën se si funksionon parimi demokratik i barazisë, si një shkak i parë dhe që prek të gjitha aspektet e jetës në shoqëri. Analiza e Tokëvilit në studimin e objekteve politike dallon nga ajo e mendimtarëve të tjerë të filozofisë politike të shek. XVII dhe XVIII, që i fillonin studimet e tyre nga njeriu i kulluar, pavarësisht nga karakteri i tij si qytetar i një regjimi të veçantë. Për të studimi i politikës fillon nga studimi i gjendjes sociale. "Zakonisht, gjendja sociale është produkt i një fakti, ngandonjëherë i ligjeve, më shpesh i këtyre të dy shkaqeve së bashku; por sapo ato ekzistojnë, gjendja sociale mund të konsiderohet si shkaku i parë i shumicës së ligjeve, zakoneve dhe ideve që rregullojnë sjelljen e kombeve; atë që nuk e prodhon e ndryshon". (Po aty, V. I, f. 107)
Pikërisht vepra e Tokëvilit iu kushtua paraqitjes së mënyrës se si një kusht shoqëror i veçantë, gjendja e barazisë reflektohet në institucionet politike të kombit, në zakonet dhe sjelljet intelektuale të qytetarëve. Gjendja shoqërore është shkaku që bën që një regjim të ketë krakteristika të veçanta të tij. Kjo nuk do të thotë se gjendja shoqërore shpjegon gjithçka në një shoqëri, sepse zakonet e mëparshme dhe faktorët gjeografikë luajnë, po ashtu, një rol në formimin e regjimit. Por, në asnjë rast këta faktorë sekondarë nuk e fshehin ose ta kundërshtojnë gjatë efikasitetin e parimit themelor lëvizës. Gjëndja shoqërore formon opinionet, ndryshon pasionet dhe ndjenjat, përcakton qëllimet që ndiqen, tipin e njeriut që admirohet, gjuhën që përdoret dhe, tek e fundit, karakterin e njerëzve.
Gjendja shoqërore, që është parimi lëvizës i regjimeve demokratike, është gjendja e barazisë. Mendimi politik i Tokëvilit e ka origjinën në pranimin e triumfit të pashmangshëm të parimit të barazisë. Duke u ndalur edhe në vaprimet e kaluara të njeriut, ai shikon te ky parim shprehjen e një vullneti hyjnor. Zhvillimi i barazisë së kushteve është një fakt providencial. "Në qoftë se vëzhgime të gjata dhe meditime të sinqerta - shkruan në hyrje të veprës Tokëvili - i shpien njerëzit e ditëve tona, që të pranojnë se zhvillimi gradual dhe progresiv i barazisë është njëherësh e kaluara dhe e ardhmja e historisë së tyre, vetëm ky zbulim do t'i jepte këtij zhvillimi karakterin e shenjtë të zotit sovran. Atëherë, të duash të ndalësh demokracinë do të duket se lufton kundër vetë Zotit dhe kombeve nuk u mbetet tjetër veçse të përshtaten me gjendjen shoqërore që u imponon atyre Providenca". (Po aty, Hyrje, V. I, f.61).
Duhet theksuar se Tokëvili nuk e shikon njeriun si të burgosur në kufijtë e një determinizmi të plotë. "Providenca, shkruan ai, nuk e ka krijuar llojin njerëzor as tërësisht të pavarur, as plotësisht skllav. Është e vërtetë se ajo përcakton rrotull çdo njeriu një rreth fatal nga i cili nuk mund të dalë; por në këto kufij të gjerë, njeriu është i fuqishëm dhe i lirë; kështu dhe popujt" (Po aty, V.II, f. 402). Duket se vepra e Tokëvilit shfaqet si një paralajmërim për njerëzit, me qëllim që të nxjerrin më të mirën nga fati që Zoti u ka atribuar atyre. Pra, përgjegjësia e tyre konsiston në atë që të bëjnë që barazia të mos i çojë në krim, por drejt madhështisë, të mos i çojë në skllavëri, por në liri. Një gjendje shoqërore nuk triumfon vetë, por i duhet artit të njeriut që t'i kapë dhe t'i transformojë në avantazhe mundësitë e gjendjes demokratike, që e shpien drejt lirisë. Për të arritur këtë qëllim, Tokëvili kërkon një "shkencë të re të politikës", një shkencë që t'i përshtatet kushteve të reja që burojnë nga triumfi i barazisë.
Në fjalorin e Deklaratës amerikane të pavarëisë vihet re që barazia mund të kuptohet si parim i regjimeve demokratike. Pohimi "Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë", konsiderohet si pohimi kryesor ose si një e vërtetë; e drejta e jetës, lirisë dhe lumturisë janë të drejta universale, që burojnë nga kjo e vërtetë themelore. Në qoftë se të gjithë njerëzit janë të barabartë atëherë asnjë nuk ka të drejtë më të lartë që t'i heqë jetën një tjetri, t'i cënojë lirinë e tij ose të përcaktojë për të mënyrën e jetesës. Tokëvili e di se edhe me barazinë më ekstreme të kushteve, pabarazia e inteligjencës do të mbetet si një nga kujtimet më të pakëndshme të regjimit të vjetër. Por, pasioni për barazinë edhe atje ku nuk mund të ekzistojë, do ta varrosë fuqinë praktike të tezës klasike, sipas së cilës të diturit duhet të qeverisin. Njerëzit e kohëve demokratike nuk do të vuajnë asnjë privilegj, ciladoqoftë baza e tyre.
Qëllimi i Tokëvilit në këtë vepër, është që tu tregojë njerëzve se si mund të jenë njëherësh të barabartë dhe të lirë dhe, duke mos e reduktuar demokracinë në një formë institucionale çfardo - qeverisje popullore, qeverisje përfaqsuese, ndarje e pushteteve - Tokëvili e zbut frikën e tyre, se forca themelore e demokracisë, pasioni për barazinë, të jetë i pajtueshëm vetëm me lirinë dhe jo me tiraninë, sepse tirania mund të bashekzistojë me institucionet demokratike. Në dallim nga disa bashkohës të tij, që besonin se zhvillimi gradual i barazisë përputhet me shkatërrimin e mundësisë së tiranisë mbi tokë, Tokëvili e kuptoi se parimi i demokracisë priret, në qoftë se do të lihet në vetvete, në një despotizëm që nuk ka ekzistuar kurrë më parë. Ne do t'i rikthehemi më pas kësaj teme shumë të rëndësishme.
Në veprën e tij ai bazohet në regjimin amerikan të viteve 1830, jo se ai mishëron domosdoshmërisht parimet e regjimit më të mirë, por sepse shënon pikën kulminante të këtij progresi historik drejt një barazie gjithnjë në rritje. Për Tokëvilin udhëtimi në Amerikë ishte një ballafaqim me vetë demokracinë. Duke insistuar më shumë në barazinë e kushteve se sa në barazinë e pastër dhe të thjeshtë, Tokëvili tërheq vëmendjen mbi një gjendje të shoqërisë, në të cilën koncepti i barazisë është bërë real. Fjala është për atë gjendje shoqërore ku njerëzit konfrontohen ndërmjet tyre, ndërkohë që barazia e tyre abstrakte bëhet e dukshme përmes barazisë së kushteve në arsimim, në nivelimin e përgjithshëm të pasurisë, përme garancisë së njejtë të të drejtave politike. Ai nuk e konsideronte Amerikën, si dhe çdo shoqëri tjetër, si një shtet ku parimi i barazisë është bërë plotësisht real, por Amerika i afrohej këtij ideali më shumë se çdo regjim tjetër. Si të gjitha shtetet demokratike, Amerika karakterizohej nga zvogëlimi progresiv i pabarazive të "regjimit të vjetër". Megjithatë, ai i njeh disa cilësi gjendjes aristokratike të shoqërisë si për shëmbull një lartësim shpirtëror dhe përbuzjen për avantazhet tokësore, bindje të forta dhe prirjen ndaj nderit, zakone të rafinuara dhe maniera të bukura, kulturën e arteve dhe shkencave teorike, dashurinë për poezinë, për bukurinë dhe për lavdinë, aftësinë për t'i shpënë deri në fund ndërmarrjet e mëdha, vlera e të cilave është e qëndrueshme. Me këtë paraqitje ne jemi në gjendje që t'i kthehemi paraqitjes që i bën demokracisë Tokëvili.
Karakteristikat e regjimit demokratik
Për Tolëvilin, tipari karakteristik i shoqërisë demokratike është atomizmi i saj. Në Mesjetë kodet i përshkruanin në mënyrë tepër të përpunuar marrëdhëniet ndërmjet tre klasave të shoqërisë aristokratike. Në demokraci këto barriera bien. Prona ndahet dhe barazohet, rrugë të reja për realizime sociale, intelektuale dhe politike u hapen të gjithëve. Njerëzit ballafaqohen me njeri tjetrin si të barabartë, duke qenë secili i pavarur dhe, në të njejtën kohë i pafuqishëm. Askush nuk është i detyruar që të bëjë atë që i urdhëron një tjetër. Një detyrë e madhe e shqoërisë demokratike moderne është krijimi i lidhjeve artificiale, të cilat duhet të zëvendësojnë lidhjet shoqërore të Mesjetës.
Sipas Tokëvilit, çelsi i karakterit atomistik të moshave të demokracisë gjendet në përhapjen e individualizmit, domethënë në prirjen për të flakur autoritetin e çdo detyrimi, ose të gjitha nenet e besimit, që nuk kanë kaluar provën e analizës personale, ose që nuk i kanë rezistuar kësaj prove. Çdo individ bëhet qendra e një mikrouniversi privat, që përbëhet nga personi i vet dhe rrethi më i ngushtë familjar dhe i miqve. Kështu, individi e humbet nga vështrimi universin më të madh, që është shoqëria në tërësinë e saj. Babai shpirtëror i kësaj ideje të re është Dekarti, metoda filozofike e të cilit është shembulli i justifikimit të këtij fakti. Barazia e kushteve është shkaku i pranimit kaq të lehtë të kësaj prirje. Në përpjekjet për të përmbysur shtrëngimet shoqërore të Mesjetës, demokracia gjen te filozofia karteziane një aleat, që ve në diskutim besimet tradicionale. Këto prirje të reja janë; pasioni për mirëqenie dhe konfort material, një shqetësin i vazhdueshëm për mirëqenien private dhe që nuk i kushton rëndësi çështjeve publike dhe një rrëshkitje drejt mediokritetit. Këto, do të sqarojë më pas Tokëvili, përcaktojnë problemin e demokracisë. Këto e bëjnë njeriun demokratik gjithnjë e më të prirur që të pranojë një despotizëm të butë. Atëherë, që të zgjidhësh problemin e demokracisë nënkuptohet që duhet t'i lihet vend lirisë, me qëllim që të shfaqet virtyti publik dhe mundësia e madhështisë.
Në Mesjetë mirëqenia, nga natyra, ishte e destinuar vetëm për një numër të caktuar njerëzish. Fisnikëria feudale europiane duhet t'i kushtohej kulturës dhe aftësive të larta. Me thyerjen e sistemit feudal dhe përhapjen e doktrinave individualiste, nevoja e përmirësimit të kushteve materiale të jetës u konsiderua si shprehje legjitime e të drejtave natyrore të të gjithë njerëzve.
Pra, demokracia duhet që të plotësojë dëshirat për mirëqenie jo vetëm për një grup të vogël njerëzish, por për të gjithë dhe këtë duhet që ta bëjë në një mënyrë të tillë që tu japë mundësi njerëzve që të merren edhe me aktivitete të reja, ose më nevojat e kombit si të tërë. Ky problem është i zgjidhshëm në dy mënyra, ose kur ka të mira materiale në sasi të mjaftueshme për të kënaqur të gjithë njerëzit, në mënyrë që asnjë të mos mendojë se nuk ka pjesë, ose kur njeriu demokratik mund të moderojë dëshirat e tij. Tokëvili duket se mbështet dy opinione të kundërta për zgjidhjen e problemit. Nga njera anë ai beson se prirja për kënaqësitë trupore të mbahet në kufij modestë. Njeriu demokratik duhet të kërkojë komforte jetësore të vogla; mjete që t'ia bëjë ekzistencën sa më pak të vështirë, përfitimet dhe kulturën e disa akrave tokë shtesë, zgjerimin e banesës. Kritika që i bën Tokëvili parimit të barazisë nuk është pse inkurajon njerëzit të kërkojnë kënaqësitë ilegale dhe të tepruara "kjo do të thoshte t'i thithje plotësisht në kërkimin e kënaqsive të lejuara. Kështu, do të mund, fare mirë, që të vendosej në botë një lloj materializmi të ndershëm që nuk i korrupton shpirtërat, por që i zbut dhe do të mbarojë duke i shtrirë pa zhurmë të gjitha burimet e tyre". Shpërthimi i beftë, dramatik dhe i dhunshëm kundër fesë, moralit dhe pronës, që shpërtheu në Francë më 1789, ishte vetëm një reaksion tranzitor, karakteristikë për një periudhë revolucionare dhe nuk mund të konsiderohet si një prirje e përhershme e epokave demokratike. Prirja e njeriut demokratik për mirëqenie është e pajtueshme jo vetëm me moralin dhe rendin publik, por as që mund të realizohen po to. Madje mund edhe të bashkohen me "një lloj moraliteti fetar". Kështu, megjithëse demokracia mund të shoqërohet me neglizhencën e asaj që është më e lartë te njeriu, të paktën e zgjidh problemin e mirëqenies së moderuar për një numër sa më të madh njerëzish. I tillë është virtyti i demokracisë, që nënvizon Tokëvili në përfundimin e famshëm të pjesës së dytë të veprës.
Ka dhe një aspekt, më pak simpatik, të kërkimit të komfortit material. Të gjitha rrugët që shpien në plotësimin e dëshirës për mirëqenie, duke qenë të hapura në mënyrë të barabartë për të gjithë, e bëjnë konkurencën gjithë zotëruese. Ciladoqoftë sasia e asaj që ke, mendohet vazhdimisht për të mirat materiale gjithnjë në rritje. Ky mendim, na thotë Tokëvili, e turbullon njeriun, e mbush me frikë dhe keqardhje dhe e mban shpirtin e tij në një lloj dridhje të përhershme. Në qoftë se është kështu, atëherë nuk ka zgjidhje teknike të problemit të mirëqenies - dëshirat e njerëzve shtohen në përpjestim me atë që rindjen. Nuk mund të ketë një numër të mjaftueshëm për të gjithë.
Ky kalim i papritur nga një materializëm i ndershëm drejt një kërkimi, pak a shumë, të pamëshirshëm për komfort material shoqërohet nga zhvillimi i një shpirti tregëtar. Tregëtia shikohet si mënyra më e mirë për të kënaqur shijen për mirëqenie. Shpejt, tregëtia e transformon dërshirën e thjeshtë për një komfort të moderuar, në diçka qesharake. Tregëtia konsiderohet si aktiviteti më i lartë dhe tërheq njerëzit më kompetentë të shoqërisë. Njerëzit me një inteligjencë të lartë kthehen nga politika drejt tregëtisë, nga jeta publike drejt çështjeve private. Në tregëti ata gjejnë fushën ku shfaqen talentet e tyre si dhe një pavarësi ndaj konformizmit dhe vulgaritetit të jetës politike. Në fakt, këta njerëz rrezikojnë në formimin e një bërthame të re të aristrokacisë. Tokëvili i paralajmëron "miqtë e demokracisë" të ruhen nga kjo "sepse, në qoftë se pabarzia e përhershme dhe aristokracia depërtojnë rishtaz në botë, mund të parashikohet që ata do të hyjnë përmes kësaj porte" (V. II, f. 202), paralajmërim shumë i hollë dhe mjaft aktual.
Individualizmi dhe materializmi, tipare që shpien në ndarjen e demokracisë, kompensohen, në një shkallë të lartë, nga një zbutje e përgjithshme e sjelljeve dhe zhvillimin e shpirti dhëmshurie, ose të një ndjenje të simpatisë njerëzore. Klasat, në Mesjetë, e shikonin njeri tjetrin si qenie që i përkisnin llojeve të ndryshme. Shoqëria feudale ishte e ftohtë dhe e ashpër. Revolucioni demokratik arrin që t'i zgjidhë detyrimet shoqërore ose politike duke theksuar lidhjet natyrore të njerëzve. Në masën që kushtet barazohen, njerëzit ndërgjegjësohen për ngjshmëritë e tyre. Kjo ngjashmëri nxit ndjenjat e simpatisë së pastër. Revolucioni demokratik shpalos mirësinë natyrore të njeriut; ai nuk do t'i bëjë keq një tjetri pa patur një arsye të domosdoshme. Në këtë arsyetim mund të dallojmë një lloj paralelizmi ndërmjet njeriut "demokratik" të Tokëvilit dhe njeriut "natyror" të Rusoit.
Për më tepër, ka një lidhje ndërmjet pasojave të individualizmit dhe zhvillimit të dhëmshurisë. Në dallim nga ajo që do të pritej, liria varet vetëm nga vetvetja, kështu që shtrëngimet tradicionale nuk e bëjnë njeriun demokratik as tërësisht besues ndaj vetvetes, as krenar. Forca gravitacionale e tij pasqyron seriozitetin e ndërmarrjes, në të cilën është përfshirë, por "turbullimi, frika dhe brejtjet e ndërgjegjes", që shoqërojnë kushtin e tij të ekzistencës, e thajnë besimin te vetvetja. Duke u ndeshur në të gjitha anët me ata, që ashtu si ai përpiqen parreshtur, që të arrijnë të mirat e pakapshme, "çdo qytetar, zakonisht, është i zënë në soditjen e një objekti shumë të vogël, që është ai vetë" (V. II, f. 99). Kështu, nuk ka alternativë tjetër veçse që të kërkojë asistencën e të tjerëve, gjë që e detyron që kushtet shoqërore të bëhen më të barabarta.
Duket se dhëmshuria dhe interesi personal mund të bashkohen, për të qenë baza e një lidhje shoqërore dhe politike në kohët e demokracisë, duke kapërxyer kështu forcat ndarëse që formohen nga individualizmi dhe kërkimi i mirëqenies personale. Ndërkaq, dhëmshuria dhe interesi personal, në qoftë se nuk kundërshtohen domosdoshmërisht, nuk janë gjithmonë të pajtueshme. Tokëvili, ashtu si Rusoi para tij, sugjeron që dhëmshuria, megjithëse është një instikt natyror i njeriut, zvogëlohet përmes llogaritjes. Në masën që njerëzit nuk janë të ç'intersuar, ata do të konsultojnë interesin personal para se të merren me mirëqenien e të tjerëve. Demokracia e inkurajon këtë duke bërë që çdo njeri të varet nga burimet e tij. Një njeri demokratik do të vejë në ndihmë të tjetrit, vetëm në qoftë se kjo nuk nënkupton për të, as humbje, as të keqe. Me qëllim që fryma e dhëmshurisë të bëhet plotësisht efikase, shoqërisë i duhet jo vetëm barazia, por edhe bollëku, një bollëk që të këtë mjaft të mira materiale për të gjithë njerëzit.
Për më tepër, fryma e dhëmshurisë i kapërxen kufijtë kombëtarë dhe, si e tillë, bëhet fjalë për dobësimin e lidhjeve politike; njerëzit bëhen indiferentë ndaj zakoneve arbitrare, që i bëjnë njerëzit qytetarë. Dhemshuria është një instikt natyror, që shpie në minimin e lidhjeve që janë thjesht konvencionale. Për Tokëvilin, shoqëria politike ka pikërisht një karakter të tillë konvencional. Butësia e sjelljeve dhe pamja e njerëzishme, që karakterizojnë shoqëritë demokratike, rrezikojnë që të ndihen më fort në njësinë e familjes se sa ndërmjet qytetarëve. "Demokracia, na thotë Tokëvili, zgjeron lidhjet shoqërore, por ajo rishtrëngon lidhjet natyrore. Ajo afron të afërmit në një kohë që ndan qytetarët" (V. II, f. 245).
Cili është problemi i demokracisë?
Këto karakteristika (materializmi, mediokriteti, individualizmi dhe izolimi), që lindin, ose e marrin forcën nga barazia e kushteve, përbëjnë thelbin e mësimit të Tokëvilit mbi demokracinë. Një regjim, në të cilin këto pasoja nuk zbuten, në një mënyrë ose një tjetër, një regjim në të cilin nuk inkurajohen aftësitë më të larta, në të cilin shoqëria do të ndalej dhe virtytet publike të shkonin drejt shuarjes, një regjim i tillë mund ta vinte në dyshim mundësinë, që i ka dhënë vetë providenca që e krijoi.
Paradoksi thelbësor i demokracisë, siç e kupton Tokëvili, është se barazia e kushteve është e pajtueshme si me lirinë, por edhe me tiraninë. Një lloj barazie mund të bashekzistojë më një pabarazi shumë të madhe. Në qoftë se demokracia do të mbetej vetëm në mjetet e veta, në fakt, ajo do të prirej në vendosjen e një tiranie, e cila mund të ishte tirania e njëshit mbi të gjithë, ose ajo e një numri më të madh ndaj një numri më të vogël, ose, madje, ajo e të gjithëve mbi të gjithë. Por si shpjegohet ky paradoks? Le të ndalemi më gjatë në idenë e Tokëvilit mbi këtë paradoks.
Pasioni sundues i moshave të demokracisë është dashuria për barazinë. Vetë ky pasion mishërohet përmes kushtit shoqëror më të përhapur që është, siç e kemi parë, burimi themelor i të gjitha pasioneve, ideve dhe sjelljeve të shoqërisë. Por, dashuria e njeriut demokratik për barazinë pushton edhe një ndjenje tjetër, atë të lirisë. Liria kërkon përpjekje dhe vigjilencë. Ajo mund të arrihet me vështirësi, si dhe mund të humbasë me lehtësi. Ekceset e saj janë të dukshme për të gjithë, ndërkohë që përfitimet e saj mund të mos shihen. Avantazhet dhe kënaqësitë e barazisë, nga njera anë, mund të përjetohen lehtë dhe nuk kërkojnë ndonjë përpjekje të madhe. Ato janë të kapshme nga të gjithë, madje edhe për ata, që kanë aftësi mediokre dhe "për t'i shijuar, nuk duhet gjë tjetër veçse të jetosh" (V.II, f. 122). Por, në qoftë se kjo është e vërtetë për kënaqësitë e barazisë, këto mangësi mund të qëndrojnë të fshëhura tek të gjithë, ndoshta bëjnë përjashtim ata që nuk mbisundohen nga këto vese. Pra, barazia e kushteve i lë fushë të lirë një pasioni që nuk shuhet. Çdo qeverisje e ardhshme do të duhet që t'i njohë këto rrënjë, në këtë lëvizje të fuqishmë. Pasioni i njerëzve të bashkësive demokratike për barazinë është "i zjarrtë, i pashuar, i përjetshëm, i padukshëm; ata duan barazinë në liri dhe në qoftë se ata nuk e fitojnë, ata e duan akoma edhe në skllavëri" (V.II, f. 123).
Dashuria për barazinë mund të shprehet në dy format e mëposhtme: ose një "pasion kurajoz dhe legal për barazinë", që kërkon që t'i ngrejë të gjithë njerëzit në nivelin e të mëdhënjve, ose një "shije e shplarë për barazinë", që përpiqet që t'i reduktojë që të gjithë në sunduesin më të vogël të përbashkët. Kuptohet se në qoftë se do të mbizotërojë pasioni i parë për barazinë, forcat kundërshtuese ndaj demokracisë do të zvogëloheshin në mënyrë të dukshme. Por, forcat që punojnë në kushtet e barazisë lenë pak shpresë që të triumfojë pasioni burrëror për barazinë. Njerëzit shtyhen që të kërkojnë të mira që nuk mund t'i zotërojnë. Barazia bën që të lindë tek të gjithë shpresa për t'i fituar këto të mira, por konkurenca është e tillë që çdo njeri ka pak shanse që të arrijë që t'i realizojë ambicjet e veta. Për më tepër, rruga për plotësimin e këtyre dëshirave nuk është një rrugë e barabartë. Fitorja do të shkojë tek ata që kanë aftësi më të mëdha. Të gjithë nuk mund të ngrihen në nivelin e më të mëdhenjve, sepse dallimet e aftësive vijnë nga Zoti, ose nga natyra. Kështu, demokracia zgjon një ndërgjegje për një të drejtë të barabartë të të gjithëve ndaj avantazheve të kësaj bote, por ajo i pengon që t'i arrijnë ato. Ky frustracion nxit zilinë dhe shkatërron respektin. Kështu, shpirti i njeriut është gjithmonë i tendosur në këtë luftë ku ai dëshiron pa shpresë. Njeriu nuk mund ta durojë, për një kohë të gjatë, një kusht të tillë. Ai kërkon një zgjidhje, që të kënaqë dëshirën e tij të madhe duke u çliruar nga ankthi që e shoqëron. Këshu, barazia e nxit njeriun që ta braktisë lirinë për të mbrojtur barazinë në vetvete.
Për Tokëvilin, kjo braktisje e lirisë nga njeriu mund të shpjerë në daljen e një despoti, siç e kishin njohur epokat e kaluara, por ishte shumë e mundshme që ky despot të vishte një formë tërësisht të re. Duke mos u vënë rëndësi termave, ai kërkon më shumë që të përshkruajë se sa t'i japë një emër të ri këtij despotizmi. Në një shoqëri, ku të gjithë janë të barabartë, të pavarur dhe të pafuqishëm, vetëm një aktor, shteti, është i prirur që ta pranojë dhe ta mbikqyrë këtë braktisje të lirisë. Tokëvili, me shumë të drejtë, tërheq vëmendjen ndaj centralizimit në rritje të qeverive. Njerëzit e demokracisë rrezikojnë që ta braktisin lirinë e tyre ndaj këtyre fuqive autoritare në favor të një despotizmi "të butë", të një despotizmi që "ndjek sigurinë e tyre, parashikon dhe siguron nevojat e tyre, lehtëson kënaqësitë e tyre, drejton çështjet themelore të tyre, drejton industrinë e tyre, rregullon ndërrimet e tyre" dhe, përfundimisht u heq atyre edhe "shqetësimin për të menduar dhe mundimin për të jetuar" (V.II, f. 385). Tokëvili parshikonte që një qeveri e tillë ishte e papajtueshme me sovranitetin popullor, ose të paktën, me format e sovranitetit popullor. Populli, në tërësinë e tij, fare mirë do të mund të ngushëllohej duke ditur se ka zgjedhur zotërinjtë e vet. Demokracia mund të lindë një formë të re despotizmi, një shoqëri që tiranizon vetveten.
Formulimi i problemit të demokracisë nuk do të ishte i plotë në qoftë se nuk do të ndaleshim në përshkrimin që i bën Tokëvili tiranisë së mazhorancës, të numrit të madh ndaj një numri të vogël. Tokëvili është i ndërgjegjshëm për presionet e grupeve që i bashkojnë interesa të veçanta, ose të faktit që përbërja e mazhorancës ndryshon shpesh në demokraci. Por, ndryshime të tilla ndodhin në kuadrin e një marrëveshje të formuar mbi bazën e disa parimeve, të cilat nuk ndryshojnë, në këtë kuptim mund të flitet për mazhoranca permanente në një demokraci. Për më tepër, homogjeniteti, në dukje, i shoqërive demokratike nuk lejon që të shihen burimet e heterogjenitetit; inteligjenca dhe pasuria. Aftësitë intelektuale nuk janë të barabarta dhe Tokëvili na jep pohimin e rëndësishëm, se shumica e njerëzimit nuk e ka aftësinë për të arritur në bindje racionale. Përveç çështjes së aftësisë, kërkesat e njohjes janë të tilla që njerëzit, në kushtet e shoqërisë demokratike, do të kenë më pak kohë, durim ose interes për një njohje racionale. Për aq sa populli do të mbetet popull, domethënë një numër i madh, ai do të jetë i detyruar që të nxjerrë bukën e gojës dhe, për pasojë do t'i mungojë koha e lirë e domosdoshme për kulturën e njohjes. Tokëvili do të theksonte se superioriteti intelektual i një numri të vogël njerëzish, në demokraci, zëvendësohet nga superioriteti që del nga sasia: "Mbretëria morale e mazhorancës mbështetet pjesërisht në këtë ide, që ka më shumë dritë dhe mënçuri në shumë njerëz të bashkuar se në një, në numrin e legjislatorëve se sa në zgjedhje. Kjo është teoria e barazisë e zbatuar ndaj inteligjencave" (V.I, f. 344). Autoriteti i mazhorancë është i tillë sa që edhe minoranca arrin që ta pranojë këtë sulm kundër inteligjencës. Kjo, ve në dukje Tokëvili, është shenjë e një fenomeni të ri në historinë e njerëzimit. Të kesh, për një çështje të rëndësishme, një opinion të kundërt me mazhorancën, nuk është vetëm diçka e pakujdeshsme, ose e kotë, por edhe dehumanizuese. "Mazhoranca, shkruan ai, zotëron një perandori aq absolute dhe aq të pareziztueshme saqë, në një farë mënyre, duhet hequr dorë nga të drejtat e qytetarii dhe, si të thuash, nga cilësia e tij si njeri, kur do të shmangesh nga rruga që ka caktuar mazhoranca" (Po aty, V.I, f. 357). Tirania e mazhorancës mbi shpirtërat e atyre që janë intelektualsiht më lartë, absolutizon prirjen e demokracisë drejt mediokritetit.
Tirania e mazhorancës ndaj të pasurve, ndaj një numri të vogël pronarësh, është më pak e dukshme. Me sa duket Tokëvili do t'i shmanget kritikëve të demokracisë, që shikonin në qeverisjen nga numri i madh rrezikun e shkatërrimit të të drejtave të pronësisë. Në parathënie, ai me kujdes nënvizon se, në vendin demokratik më të avancuar të botës, të drejtat e pronësisë gëzojnë garancinë më të madhe se në çdo vend tjetër. Megjithatë, ai nuk është aq naiv sa të besojë se konflikti i përjetshëm ndërmjet të pasurve dhe të varfërve zgjidhet nga revolucioni demokratik, jo të gjithë janë në të njejtin nivel pasurie dhe çdo nivelim i institucionalizuar nuk e ka zvogëluar zilinë e të varfërve ndaj atyre që jetojnë në kushte më të mira. Atëhere, cila është siguria e të drejtave të pronësisë?
Sipas Tokëvilit, kjo ndarje është një tipar i përhershëm i të gjitha shoqërive, që ekzistojnë pavarësisht nga realizimi progresiv i barazisë së kushteve. Është një rregull fiks, që i nënshtrohen të gjitha komunitetet. Nga njera anë, ndarja e individëve, që formojnë tri rendet e mëdha në një shoqëri - të pasurit, ata që kanë mjete të moderuara dhe të varfërit - mund të ndryshojë nga një shoqëri në tjetrën. Ai nuk është dakort me idenë se të pasurit, ose ata që janë mesatarisht të pasur, nuk mund të përbëjnë kurrë një mazhorancë. "Vota e përgjithshme u jep realisht qeverisjen e shoqërisë të varfërve" (V.I, f. 300). Për më tepër ai deklaron se është e pashmangshme që klasa qeverisëse të jetë shtypëse. Tek e fundit, Tokëvili do tu thotë të varfërve që të kuptojnë se është në kundërshtim të interesit të tyre, që të varfërojnë të pasurit. Pra, ai nuk shikon asnjë arsye që konflikti ndërmjet të pasurve dhe të varfërve do të pushojë në kushtet e demokracisë, ose që të parët nuk do të kenë vullnetin, ose rastin që t'i shtypin të tjerët. Në masën që mazhoranca është e varfër dhe në masën që janë të varfërit sovranë, atëherë frika e kritikëve të demokracisë është e justifikuar.
Por, si t'i shikojmë këto ide me pjesët e tjera të veprës së Tokëvilit? Në pjësën e dytë, për shëmbull, ai deklaron se në bashkësitë demokratike të varfërit, në vend që të formojnë mazhorancën e një kombi, numri i tyre do të vijë duke u zvogëluar dhe vendi i tyre do të zihet nga klasat e mesme. Kështu, klasat e mesme, jo vetëm që do të përbëjnë mazhorancën, por ato do të zotërojnë pronë dhe kështu do të bëhen mbrojtësit kryesorë të të drejtave të pronësisë. Atëherë, përse të pasurit duhet të kenë frikë nga një mazhorancë, pasionet dhe interesat e të cilëve janë të ngjashme më ato të tyret?
Si e zgjidh problemin Tokëvili?
Ai thekson se problemi idemokracisë mund të zgjidhet në nivelin e vetë demokracisë, domethënë zgjidhja duhet të jetë në harmoni me parimin e demokracisë, që është barazia. Çdo orvajtje për të ndryshuar demokracinë, përmes parimesh ose praktikash të marra nga ndonjë regjim tjetër, janë të destinuara me dështim. Ironia e vështirësisë së demokracisë është se ajo i inkurajon njerëzit që të braktisin lirinë e tyre, që është e vetmja gjë thelbësore e çlirimit të tyre. Në qoftë se individualizmi është shkak i atomizmit të shoqërisë demokratike, është liria ajo që, në mënyrë paradoksale, mund të rivendosë një ndjenjë pavarësie politike. Cila është mundësia që liria të rezultojë nga një gjendje demokratike e shoqërisë? Përgjigja e Tokëvilit dëshmon optimizmin e tij, që qëndron në themel të mendimit të tij politik: "Për mua, shkruan ai, pa e qortuar demokracinë për pabindshmërinë që ajo frymëzon, është kryesisht për shkak të kësaj që e lëvdoj. Unë admiroj duke parë të formohet, në thelb të shpirtit dhe të zemrës të çdo njeriu, ky nocion i errët dhe kjo prirje instiktive për pavarësi politike, duke përgatitur kështu ilaçin ndaj së keqes, që ajo vetë bën që të lindë" (V.II, f. 354).
Pasioni për barazinë i kundërvihet një pasioni të ngjashëm që buron nga barazia në liri dhe, siç e pamë janë forca të pabarabarta. Për më tepër, pasioni që e shtyn një qeveri të ketë në themel shqetësimin e individit për mirëqenie, e shikon efektshmërinë e saj të shtohet përmes prirjesh të centralizimit të qeverisjes. Qeveritë bëhen më të fuqishme dhe individët duken si më të pambrojtur. Për pasojë, pasioni natyror për lirinë duhet të plotësohet nga arti politik, një art që Tokëvili e sheh më së miri në përvojën amerikane. Për zgjidhjen e problemit të demokracisë, përvoja amerikane i sugjeron disa shembuj konkretë si, pavarësia e pushtetit lokal, ndarja e kishës nga shteti, shtypi i lirë, zgjedhjet indirekte, pushteti gjyqësor i pavarur dhe inkurajimi i gjithfarlloj shoqatash. Duhet theksuar se Tokëvili nuk rekomandon adoptimin e kulluar dhe të thejshtë të modelit amerikan. Për shembull, megjithëse ai e admiron sistemin federal amerikan ai pohonte se një sistem kaq i ndërlikuar është i papërshtatshëm për temperamentin dhe jetën politike europiane. Për të, Amerika jep parimet, si ai i intersit personal të kuptuar në mënyrë të drejtë, për të ndërtuar një rend demokratik të respektueshëm. Le t'i shohim me radhë këto ide.
Për të kufizuar pasojat e centralizimit, Tokëvili thekson vlerën e lirisë lokale në nivelin e komunës. Në komunë qytetari merr, për herë të parë, një mësim se si ta ushtrojë lirinë. Duke u mësuar që të shqetësohet dhe të kooperojë për çështje që mund t'i shikojë me sytë e tij, tek qytetari edukohet përgjegjësia publike. Komuna është vendi i transformimit të intersit personal në patriotizëm, të paktën në një lloj patriotizmi. Sipas Tokëvilit, institucionet e lira, sidomos në nivelin lokal, i transformojnë individët egoistë në qytetarë, ku shqetësimi i parë i tyre është e mira e përbashkët. Për më tepër, ai sugjeron se sa më shumë që një komb bëhet kompleks dhe i qyetëruar, gjithnjë e më pak rrezikon të ndërtojë një liri në nivelin lokal, ose të tolerojë goditjet e një komuniteti pa traditë lirie.
Sistemi i jurive në gjykata është një shëmbull tjetër, që ai e këshillon, për të ruajtur lirinë dhe për të kufizuar prirjet individualiste të demokracisë. Ashtu si liria lokale, ky sistem edukon tek qytetari një ndërgjegje për nevojat e tjetrit. Por këtu, Tokëvili ka parasysh gjyqtarë me cilësi shpirtërore të larta dhe ai theksonte se cilësia e gjyqtarëve si klasë do të zvogëlohej në përpjestim me shtimin e numrit të tyre. Mbi cilësitë e larta shpirtërore të gjyqtarëve mbështetej Tokëvili kur besonte se sistemi i jurive do të formonte gjykimin e popullit dhe do t'i ndërgjegjësonte për kërkesat e drejtësise. Duke folur për këtë sistem shqetësimi i tij ishte që të zbulonte mjetet, përmes të cilave mund të moderoheshin dhe mësoheshin shijet dhe pasionet e një numri të madh të njerëzve. Sistemi i jurive ishte një mjet, një shembull, mbi rolin universal që ai shpresonte se do të luanin gjyqtarët dhe profesionet e tjera juridike në demokraci. Formimi, që marrin juristët, u jep atyre disa shije për rendin, për format legale dhe politike dhe për lidhjet e ideve, për shijet që i dallojnë nga të tjerët dhe që u jep një drejtim aristokratik mendimeve dhe preferencave të tyre. Shpirti i tyre priret që të jetë konservator dhe antidemokratik. Në masën që ata do të luajnë një rol parësor në shoqëri, ata do të veprojnë në sensin e kufizimit të impulseve që vijnë nga numri i madh. Ne mund të dallojmë se, roli i juristëve në zgjidhjen e problemit të demokracisë është një shkelje e parimit, sipas të cilit zgjidhja duhet të jetë në nivelin e demokracisë, por kjo është vetëm në dukje, sipas tij. Në qoftë se juristët dallohen për shije dhe zakone aristokratike, ata ruajnë lidhje thelbësore me popullin për nga lindja dhe interesi. Kështu ata nuk formojnë një klasë të dallueshme.
Ndër mjetet demokratike, liria e shoqatave qëndron në krye. Në demokarci, na thotë Tokëvili, shoqatat mbrojnë të drejtat e pakicave (jo në kuptimin kombëtar), kundër tiranisë së mazhorancës. Madje, të drejtën e krijimit të shoqatave ai e quan si një të drejtë natyrore. Shoqatave dhe përhapjes së tyre ai u dha, për herë të parë, një vend të veçantë në mendimin politik, në dallim nga paraardhësit dhe ai e quante thelbësorë shtimin e tyre për mirëqenien e shoqërisë demokratike. Në vend që të shpien në shkatërrimin e unitetit të shoqërisë, shoqatat e kapërxejnë prirjen e demokracisë drejt ndarjes. Në shoqatat individët jo vetëm mësojnë demokracinë, por mësojnë edhe artin e përshtatjes me një qëllim të përbashkët. Sipas tij të mësosh se si të bashkohesh, është kushti praprak i ruajtjes së vetë qytetërimit. Gjithashtu, te shoqatat ai shikonte një mjet, jo vetëm për të zbutur tiraninë e mazhorancës, por edhe për të kapërxyer mediokritetin, drejt së cilës priret demokracia.
Sipas Tokëvilit, demokracia e vendos përgjegjësinë qeverisëse në duart e një shumice njerëzish të cilët, "do të besojnë pa ditur përse, ose nuk do të dinë pikërisht atë që duhet besuar" (V.I, f. 273). Megjithatë, një regjim demokratik mund të jetë jetëgjatë në qoftë se opinionet bëhen sa më pak të ngushta. Institucionet e lira, që rekomandon ai, janë të destinuara për të lehtësuar këtë. Njerëzit duhet të transformohen në qytetarë, moralisht të ndërgjegjdshëm përmes veprimit të këtyre mjeteve demokratike. Në këtë ide nuk mund të mos vemë në pah jehonën e filozofisë së Monteskjësë, pasues i të cilit ai ishte, që thoshte se qytetari mund të vdesë dhe njeriu mund të mbetet, Në këtë rast rruga mbetet e hapur për despotizmin. Për Tokëvilin, individët do të fillojnë të mendojnë vetë, aftësitë e tyre do të shtohen përmes kontaktit me gjyqtarët e mëdhenj, simpatia e tyre kundrejt të tjerëve do të shtohet përmes pjesmarrjes në juritë, shpirtërat e tyre do të bëhen më pak të ngushtë nga fakti i pjesmarrjes në shoqatat. Ai e quante të pamundur që të mendohet një sistem institucionesh, që garanton një qeverisje të mirë përmes veprimit dhe kundërveprimit të qytetarëve, në qoftë se përbëhet nga qytetarë që nuk kanë mendje reflektuese, ose nxiten tërësisht nga motive të poshtra.
Por si do të bëhen njerëzit qytetarë? Sipas tij, njereëzit do të bëhen qytetarë përnes veprimit të parimit të intersit personal të kuptuar mirë. Në hyrjen e veprës në fjalë, ai na thotë se njeriu i varfër "e ka pranuar, si rregull të veprimeve të veta, doktrinën e interesit, pa e njohur shkencën e tij dhe egoizmi i tij është gjithashtu i zhveshur nga drita, që dikur ishte heroizmi i tij" (V.I, f. 20). Thirrja e Tokëvilit për një "shkencë të re të politikës", që duhet të merrte parasysh kushtet e reja të barazisë është thirrja për një shkencë, që do të vendoste parimin e interesit mbi një themel të qëndrueshëm. Sigurisht, është njeriu "i varfër, të cilit i duhen mësuar parimet e shkencës së re, sepse është ai, si anëtar i mazhorancës, që do të qeverisë shoqërinë e re. Për më tepër, duhet që parimet e shkencës së re të jenë në përpjestim me nivelin e kuptueshmërisë së tij. Ai ndalet shumë në këtë pikë dhe kërkon që teoritë filozofike të ndalen në këtë moment, që përbën tiparin karakteristik të kohës tonë, sepse "intersi privat do të bëhet më shumë se kurrë lëvizësi kryesor, në mos i vetmi, i veprimeve të njerëzve; por mbetet që të mësohet se si do ta kuptojë çdo njeri interesin e tij individual" (V.II, f. 156).
Në qoftë se njerëzit do të tërhiqeshin plotësisht brenda rrethit shtëpiak, që fryma publike të mos zhduket plotësisht, duhet që njerëzit të mësojnë që, duke mbajtur një vështim të ndriçuar ndaj vetvetes, duhet që vazhdimisht të ndimohen reciprokisht dhe të sakrifikojnë një pjesë të kohës dhe pasurisë së tyre për mirëqenien e shtetit dhe të komunitetit. Themeli i rendit publik ose shoqëror mbështetet mbi egoizmin e ndriçuar. Çdo individ pranon opinionin se "njeriu duke u shërbyer të tjerëve i shërben vetvetes dhe se interesi i tij privat është që të bëjë mirë" (V.II, f. 153).
Në fillim kemi theksuar se, për Tokëvilin, problemi i demokracisë duhet të zgjidhet në nivelin e demokracisë. Ai e pranon barazinë dhe, me të edhe individializmin si shoqërues të domosdoshëm të tij. Barazia e than respektin që u kushtohet atyre, të cilët, në epoka të tjera, kishin përgjegjësinë për tu shqetësuar për të mirën e përbashkët. Individualizmi i bën njerëzit që t'i kthejnë kurrizin prosperitetit të përbashkët. Problemi i demokracisë është që të rikrijojë një ndjenjë të moralitetit publik mbi bazën e barazisë dhe të individualizmit. Doktrina e interesit të kuptuar mirë përbën orvajtjen e Tokëvilit për ta zgjidhur problemin mbi këto baza. Kapitulli i tetë, vëllimi i dytë, ku tregohet se si amerikanët e luftojnë individualizmin përmes doktrinës së interesit të kuptuar mirë, është një model i refleksionit i mendjes analitike të Tokëvilit.
Mjeti tjetër për ta zgjidhur problemin e demokracisë, që ja sugjeron modeli amerikan, është ndarja e fesë nga shteti. Tokëvili e shikon fenë në shumë plane, madje e lidh e dhe me doktrinë e intersit personal të kuptuar në mënyrë të drejtë. Trajtimi i fesë nga Tokëvili është, nga fillimi deri në fund, "popullor". Feja përmendet jo vetëm për të justifikuar sakrificën supreme, por edhe për të luftuar, njëherazi, individualizmin dhe materializmin e periudhave të demokracisë. Feja mund tu tregojë njerëzve se ka të mira dhe aspirata, që e kapërxejnë përvojën e shqisave të tyre. Këshyu, ajo lufton mësimin materialist, sipas të cilit gjithçka reduktohet te materia dhe vdes me trupin. Feja nxit ushtrimin e "aftësive më sublime" të njeriut. Për më tepër, feja shërben për t'ju kujtuar njerëzve detyrimet e tyre reciproke dhe, duke bërë këtë, ajo i shkëput njerëzit nga preokupimet vetëm për veten e tyre. Tokëvili thekson se liria është e pamundur pa moralitet dhe moraliteti pa fenë. Feja është shumë e domosdoshme në kohën e individualizmit ekstrem, meqë njerëzit janë të lirë që të formojnë dhe të mbështesin vetëm opinionet e tyre. Në një situatë të tillë kur gjithçka vihet në dyshim dhe opinionet braktisen farë lehtë, njerëzit priren që t'i nënshtrohen demagogut të parë, që triumfon mbi shqisat e tyre përmes premtimesh të rreme për rend dhe stabilitet. Idetë e përgjithshme mbi Zotin dhe shpirtin njerëzor e ruajnë lirinë njerëzore. Tokëvili bën aluzion edhe për fetë e rreme dhe mjaft absurde, por ai nuk ndalet në vërtetësinë e tyre. Ai është indiferent ndaj dogmave të veçanta. Atë më shumë e interesom moralizimi që i bëjnë demokracisë së tyre amerikanët përmes fesë.
Mbrojtja që i bën dobisë së fesë nuk shkon në favor të idesë për një fe shtetërore. Përkundrazi, Tokëvili ka ide të shkëlqyera politike mbi domosdoshmërinë e ndarjes së fesë nga shteti. Por, në dallim nga ata që kërkojnë që t'i ndajnë këto dy institucione, me qëllim që të përforcohet rendi politik duke dobësuar atë fetar, Tokëvili thekson se ndikimi i fesë do të mbetet i fortë dhe do të ndikojë pozitivisht ndaj shoqërisë civile vetëm përmes ndarjes nga shteti. Vetëm duke u mbështetur në pasionet natyrore për fenë, që i përkasin njeriut si njeri dhe duke hequr dorë nga çdo aleancë me një parti të veçantë osë me shtetin, feja do të mbajë gjallë ndikimin e saj mbi njerëzit në moshat e demokracisë. Kolonët e Anglisë së Re u lanë si trashëgim pasardhësve këtë themel; njohjen e mënyrës se si mund të bashkoheshin fryma e lirisë dhe fryma e fesë.
Tokëvili është i ndërgjegjshëm për faktin se kushtet e barazisë e kufizojnë fenë. Në qoftë se feja duhet t'i qëndrojë besnik funksionit të saj politik, ajo duhet t'i pranojë këto kufizime. Gjthashtu, ajo duhet të qëndrojë në harmoni me parimin e regjimit demokratik dhe me pasionet e lira për barazinë. Për shembull, ajo nuk mund të shpresojë që t'i bindë njerëzit se pasioni për kënaqësi personale është imoral, por ajo mund të përpiqet që të rregullojë dhe të moderojë lëshimin drejt mirëqenies materiale. Duhet që feja të respektojë pasionet demokratike pa u tërhequr para tyre. Duke qëndruar fort në besimet e saj thelbësore, feja nuk duhet të nxisë armiqësinë e mazhorancës duke ju kondërvenë ideve "përgjithësisht të pranuara dhe interesave të përhershme që mbretërojnë te masat" (V.II, f. 36).
Një mjet tjetër për të frenuar demokracinë që të shkasë drejt despotizmit, sepse spektri i despotizmit nuk zhduket as në demokraci, është liria e shtypit. Liria e shtypit së bashku me lirinë e shoqatave, janë dy mjete të fuqishme për të mbajtur në këmbë demokracinë. Tokëvili e di shumë mirë se në shekujt e barzisë, çdo individ ndjehet i izoluar, prandaj ai nënvizon rëndësinë absolute të lirisë së shtypit. Do të doja të theksoja se faqet kushtuar lirisë së shtypit, janë kryevepra të literaturës politike të shkruara ndonjëherë. Ja çfarë shkruan ai për këtë çëshjtje: "Në ditët tona një qytetar që shtypet, nuk ka veçse një mënyrë për tu mbrojtur; kjo është që t'i drejtohet tërë kombit dhe, në qoftë se ai është i shudhët, llojit njerëzor; ka vetëm një mënyrë për ta bërë këtë, kjo është shtypi. Kështu liria e shtypit është pafundësisht më e çmueshme te kombet demokratike se sa te gjithë të tjerët, vetëm ajo e shëron shumicën e të këqiave që mund të prodhojë barazia... Shtypi është, par exellence, instrumenti demokratik i lirisë" (V.II, f. 392).
Çfarë këshillash do t'u jepte Tokëvili politikanëve?
Janë shumë këshilla, sa nuk do të mjftonin këto faqe, por mund të sillja këshillën që ai u dha politikanëve europianë, që ata ta kishin si libër xhepi "Letrat e federalistit". Në këto lëtra ndodhen themelet, mbi të cilat ngrihet godina demokratike amerikane, të cilat kanë përcaktuar jetëgjatësinë e demokracisë amerikane. Unë do të shtoja edhe një libër tjetër xhepi për ta. Ky është "Demokracia në Amerikë" e Alexis de Tocqueville.
Megjithatë, nuk mund të mos përmend tri këshilla, që kanë një rezonancë tepër aktuale. Le t'i shijojmë me gjuhën e vetë Tokëvilit.
1. "Jepuni njerëzve dritën dhe lirinë dhe i lini ata që të ecin. Ata do të arrijnë pa mundim të nxjerrin nga kjo botë të gjitha të mirat që ajo mund tu ofrojë; ata do të perfeksionojnë çdonjerin nga artet e dobishme dhe do ta bëjnë çdo ditë jetën më komode, më të lehtë, më të butë; gjendja e tyre shoqërore do t'i shtyjë natyrshëm nga kjo anë. Unë nuk dyshoj se ata do të ndalen" (V. I, f. 398)
2. Legjislatorëve ai do tu thoshte: "Fiksoni për pushtetin social limite të gjera, por të dukshme dhe të palëvizshme; u jepni individëve disa të drejta dhe garantoni plotësimin e pakundërshtueshëm të tyre, forcën, origjinalitetin që ato të mbeten; i ngrini individët pranë shoqërisë dhe i mbështesni përballë saj; i tillë më duket se është objekti i legjislatorit në moshën ku po hyjmë" (V. II, f. 396).
3. Politikanëve, që i premtojnë popullit që të bëjnë gjera të mëdha ai do tu thoshte: "Thuhet se sovranët e kohës sonë duan që të bëjnë me njerëzit gjëra të mëdha. Unë do të doja që ata të ëndërronin pak më shumë për të bërë njerëz të mëdhenj; që ata t'i kushtonin më pak vëmëndje veprës dhe punëtorit dhe të kujtoheshin parreshtur se një komb nuk mund të mbetet për një kohë të gjatë i fortë, kur çdo njeri, individualisht, është i dobët dhe që nuk ka gjetur ende format shoqërore dhe kombinimet politike që mund ta bëjnë një popull energjik për të mos e mbushur me qytetarë të flashkët dhe të qullët" (V. II, f. 396 - 397).
Basta! Le të ndalemi këtu, ndryshe kjo listë këshillash do të ishte shumë e gjatë. Por le t'ia lemë të gjitha kategorive të lexuesve që të ndalen sa më gjatë, jo vetëm në pjesët, që mund tu takojnë për hir të kulturës dhe profesionit, por në tërë veprën për të shijuar idetë dhe stilin e shkathët francez, të kësaj mendje të thellë analitike, që na la këtë vepër, që përmendet si model i literaturës së filozofisë politike për objektivitetin, sugjerimet dhe justifikimin e demokracisë, por pa rënë në pohime glorifikuese.
Prof. As. Dr. Gjergj Sinani


