| Norma Evropiane dhe Opinioni Lokal: Mangësitë e Përqasjes Institucionaliste. |
|
|
|
|
Prof. Dr. Artan FUGA Provat se opinioni shoqëror shqiptar përgjatë këtyre dekadave ka qenë për një integrim të shpejtë evropian të vendit të tij janë të pakundërshtueshme. Bile, mund të thuhet pa asnjë ndrojtje se këto prova shkojnë shumë më larg dhe më thellë ndër vite. Njëra nga këto prova pati një fund tragjik sepse u shtyp me forcë, me rreptësi dhe me propagandë prej pushtetit totalitar aty nga fillimet e viteve ’70. Pak më parë se kjo kohë, regjimi (ende nuk është botuar ndonjë dokument që ta shpjegojë bindshëm se për çfarë shkaku), u duk sikur e çliroi pak rripin e propagandës dhe të censurës ndaj artit, kulturës dhe letërsisë evropiano – perëndimore. Dhe brenda shumë pak kohësh publiku, konsumatori i artit dhe i letërsisë, vetë krijuesit, regjisorët, ndofta edhe vetë organizatorët e ngjarjeve artistike në nivel kombëtar – nisën, qoftë edhe duke imituar, të drejtojnë antenat e ndërgjegjes drejt Perëndimit.
Dënimi i rëndë i festivalit XI në Radiotelevizion dhe gjithë fushata e represioneve që e shoqëroi atë, treguan hapur se elita intelektuale dhe artistike e vendit, vetë publiku, po të lihej i lirë dhe disi i pakontrolluar, prirej drejt shijeve dhe estetikës evropiano – perëndimore. Ashtu sikurse opinioni shoqëror shqiptar në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90 kishte si busull orientimi modelin evropian të zhvillimit, prandaj edhe parulla «E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa» zinte një vend të parë në sloganet propagandiste të kohës, të drejtuara kryesisht kundër pushtetit komunist apo kundër forcave regresive të kohës. Fakti i tretë bashkëkohor që dëshiroj të përmend lidhet me atë eksod masiv që shqiptarët ndërmorën për t’u hedhur në brigjet evropiane menjëherë sapo kufijtë e territorit shqiptar u dukën se u lëkundën dhe i shpëtuan kontrollit të administratës dhe forcave të sigurimit të pushtetit totalitar. Dikush mund të thotë se, vërtet, kështu është, por emigrantët shqiptarë u hodhën ta zëmë në brigjet italiane sepse atje iu dha mundësia dhe jo për ndonjë parapëlqim evropiano - perëndimor. Ku të shkonin tjetër ? Është e vërtetë, por kjo nuk hedh poshtë lidhjet shpirtërore të shqiptarëve me Perëndimin. Sa pak nga ata shqiptarë që më pas u bënë qytetarë me të drejta të plota të shteteve të ndryshme perëndimore, i lanë këto vende për t’u hedhur në vende të Lindjes apo orientale? Shumë, shumë pak, për të mos thënë aspak. Mjaftojnë këto tre fakte të kohëve të reja për të dëshmuar orientimin kulturor të shqiptarëve dhe ambicien dhe dëshirën e tyre për t’iu bashkëngjitur Perëndimit në përgjithësi dhe atij evropian në mënyrë të veçantë. Dhe pikërisht këtu merr zanafillën edhe një kontradiktë e fuqishme, sepse, ndërsa duket qartë se popullsia shqiptare është tepër e lidhur me Evropën Perëndimore dhe individualisht ka bërë çmos për ta çarë rrugën për atje, vetë vendi, vetë shoqëria shqiptare është më pas, edhe më pas në procesin e integrimit evropian edhe se shoqëri të tjera të Evropës Lindore, të cilat edhe për shkak të qytetërimit sllav, edhe për shkak të një feje ortodokse, i qëndron disi më larg Perëndimit, i cili sigurisht që nuk mund të veçohet me thikë nga influenca e vlerave të krishtera dhe katolike që e kanë ngjizur si qytetërim.
E gjitha sa parashtruam më lart ka ndofta vlerë për të mos krijuar keqkuptime. Por, fakti se kolektivisht shqiptarët janë treguar proevropianë, nuk ka mundur të ndalojë që procesi i integrimit evropian të Shqipërisë të njohë vonesa dhe ngadalësi të konsiderueshme. Përse? Kjo pyetje do të kërkonte një farë kohe për t’u sqaruar, sepse përgjigja për të duket se është shumë e ndërlikuar dhe komplekse. Në këtë shkrim do të ndalem vetëm në një aspekt që më duket se tani për tani luan një rol jo të vogël në krijimin e kundërshtisë që prekëm më lart. Nga pikëpamja artistike, ligjore, politike dhe nga ndonjë aspekt tjetër, veçanërisht mbi disa anë që lidhen me të drejtat e njeriut qytetarët shqiptarë i kanë përqafuar gradualisht dhe jo fare keq mësimet evropiano – perëndimore. Përparime të dukshme janë bërë sidomos lidhur me përafrimin e korpusit të ligjeve, normave dhe standardeve politike, të drejtave të njeriut që zbatohen në Shqipëri me ato të vendeve tashmë të integruara në Bashkimin Evropian. Këto norma ligjore prekin anë nga më të ndryshmet të realitetit shoqëror, familjen, shtetin, gjykatat, ekonominë, proceset e urbanizimit etj. Mirëpo studimet sociologjike në terren na tregojnë se ekziston megjithatë një hendek i madh midis universit të ligjeve dhe të normave juridike dhe botës së opinionit shoqëror. Kjo e dhënë na ka ardhur më së shumti duke studiuar dhe verifikuar nga afër sjelljen kolektive dhe individuale të operatorëve shoqërorë shqiptarë në fusha nga më të ndryshme të jetës. Atë na e kanë dëshmuar anketa sociologjike në terren, analiza e të dhënave ekonomike të vendit apo edhe vëzhgime të ndryshme empirike. Ku është universi i normave juridike dhe politike dhe ku është opinioni shoqëror ? Më duket se në disa aspekte ata përputhen me njeri-tjetrin, por në drejtime të tjera kanë midis tyre dallime dhe largësi jo fort të vogla. Mirëpo këtu fillon pikërisht edhe çështja që duam ta trajtojmë konkretisht. Nëse te ne vijnë dhe bëhen pjesë e legjislacionit tonë ligje, norma juridike, rregulla administrative që kanë frymë evropiano–perëndimore, të cilat mbërrijnë me rekomandimet dhe porositë e Bashkimit Evropian, a do të thotë kjo gjë se ato janë gjithmonë në përputhje me humoret e opinionit shoqëror shqiptar ? Dhe më tej akoma, a do të thotë se kjo botë normative që vjen në anët tona është e tëra në përputhje me normat morale, me vlerat etike, me modelet e perceptimit, me mënyrat e sjelljes kolektive dhe familjare të shqiptarit? Vështirë të japim një përgjigje të plotë dhe të sigurt pohuese këtyre pyetjeve, ndonëse subjektivisht dhe personalisht do ta dëshironim shumë që të ishte kështu. Por, studimet në terren, studimet konkrete dhe përvojat jetësore kryesisht, nuk na lejojnë të jemi më shumë optimistë sesa duhet. Le të marrim disa shembuj të thjeshtë. Nga Perëndimi dhe Bashkimi Evropian vijnë vlera ideologjike dhe norma juridike, të cilat kërkojnë dhe kanë bërë disi që në Shqipëri të vendosen disa nga elementët e shoqërisë së tregut. Edhe realisht mund të thuhet se ka pjesë të shoqërisë, të cilat funksionojnë pak a shumë sipas këtyre normave, standardeve, vlerave. Paga, prona, të drejtat në punë, raportet midis pronarin dhe punëmarrësit apo e drejta e grevës, etj., etj. Por, sa larg është bota ideale e normave juridike dhe ideologjike prej universit të sjelljes reale të operatorëve socialë që lëvizin në terren, që kanë interesa, që shquhen për mendësi të caktuara lokale përgjatë veprimtarisë së tyre ekonomike? Në ekonominë reale gjendja është radikalisht e ndryshme. Një pjesë e konsiderueshme e punës së bërë në ekonominë shqiptare, për shembull, nuk është fare monetarisht e pagueshme. Kjo ndodh në zonat rurale, pra në ekonomitë bujqësore familjare, në të cilat pothuajse nuk njihet fare marrëdhënia punë – pare midis aktorëve shoqërorë familjarë. Prindi shqiptar nuk është mësuar që të paguajë fëmijët e tij brenda hapësirave ekonomike që i quan si pjesë të zonave brenda mureve të shtëpisë. Dikush mund të thotë se kjo mungesë e marrëdhënies monetare gjatë procesit të punës vjen sepse në ekonomitë familjare bujqësore prona mbi tokën është kolektive, e familjes. Pra, do të vazhdonte kundërshtimi, atje nuk kemi marrëdhënie midis punëdhënësit dhe punëmarrësit, por ndodhemi më tepër përpara një marrëdhënieje që karakterizon raporte midis pronarëve të të njëjtit titull pronësie, pra të bashkëpronarëve. Do të thoshim se ky kundërshtim nuk duket edhe aq i bazuar, sepse edhe nëse do t’i merrnim operatorët ekonomikë familjarë më tepër si bashkëpronarë, përsëri do të duhej të kërkonim nëse ata e kanë ndarë financiarisht dhe ekzaktësisht pronën e tyre në pjesë të qarta përkatëse. Vështirë se ndodh ndokund, në ndonjë cep të Shqipërisë, kështu. Kjo do të thotë se marrëdhëniet e pronësisë në fakt qëndrojnë mbi një terren lidhjesh familjare, të cilat mbizotërohen jo nga faktorë të thjeshtë normativë e ligjorë, të ardhur nga bashkëkohësia apo nga Bashkimi Evropian, por që drejtohen nga mendësi lokale, tradicionale, nga norma etike familjare, në përgjithësi disi patriarkale dhe konservatore. Në këtë rast universi pronësor që ka prirje të duket si i orientuar nga vlera evropiane, nga frymëzime perëndimore, në fakt mbivendoset në një shtrat moral, etik, tradicional, lokal, shpesh herë konservator. Që këtej lindin shumë tensione dhe kundërshti, rastet konkrete të të cilave do të mund t’i gjenim anë e mbanë krahinave të vendit. Le të marrim një rast tjetër. Prona familjare dhe ndërmarrja e shërbimeve e tipit familjar që vihet re se është shumë e përhapur në zonat urbane, kafene, restorante, hotele, pika servisesh, dyqane etj. Në këto rast dihet se pronësia është individuale, ajo i takon më shumë njërit prind ose të dy prindërve të marrë së bashku. Fëmijët ose gjyshërit që punojnë atje, megjithatë, nuk ndodh shpesh që të paguhen me para në dorë apo me forma të tjera shpërblimi për punën e bërë. Kjo e fundit konsiderohet punë në gjirin e familjes. Prona nuk konsiderohet si në mall, por si e një e mirë familjare, që siguron të tashmen dhe të ardhmen e saj nëpërmjet punës së përbashkët të papaguar. Në fakt, pikërisht për këtë arsye ky kapital i vogël nuk falimenton. Ai është në krizë sepse është i vogël, dhe nuk falimenton pikërisht sepse është i vogël dhe me substrat familjar. Dobësia dhe forca e tij qëndrojnë në të njëjtin vend. Ai është i dobët sepse është i fortë dhe është i fortë sepse është i dobët. Në çastin kur pronarët – prindër do të duhej të paguanin për punën e bërë fëmijët apo të afërmit e tyre, pra do të zbatonin sipas letrës normën ligjore dhe etike evropiane (puna paguhet), atëherë kjo lloj sipërmarrjeje do të shkonte drejt falimentimit. Prekëm një rast nga ekonomia, por mund të merrnim edhe raste nga politika. Sistemi politik shqiptar konsiderohet nga pikëpamja ideologjike si shtet ligjor. Në shumë drejtime dhe në sfera nga më të ndryshmet ai është vërtet i tillë. Pa diskutim. Por, po të analizojmë mjaft nga institucionet e tij, do të shohim se në fakt aspekti ligjor nuk është ai që rregullon konkretisht marrëdhëniet institucionale, sepse ky aspekt i «shtetit ligjor», në fakt, mbështetet në një substrat tjetër, më të thellë, që është ai i ekuilibrimit midis partive. Në një farë kuptimi «shteti ligjor» në shumë institucione nuk është veçse një farë rregullimi ligjor i marrëdhënieve të pjesshme, një normativizim i militantizmit, një lloj standardizim i raportit dhe i tensionit midis partive të ndryshme politike. Parë nga kjo pikëpamje, këto institucione kanë dy nivele ndërtimi: i pari, evropian, perëndimor, ai i ligjit, si shprehje e vullnetit të përgjithshëm, dhe i dyti, substrati thjeshtë, ai partiaku, i marrëdhënieve midis partive, çka lidhet me kontekstin lokal shqiptar, me traditat e mbivendosjes së aktorëve socialë të fuqishëm, në këtë rast të partive, ndaj ligjit. Tradicionalisht, shqiptari më shumë i është nënshtruar fuqisë personale të shefave, pastaj të partive, të njëshave, sesa ka qenë i mësuar t’i bindet ligjit. Kështu, si rregull, pushteti presidencial është një pushtet ligjor, por a është mirëfilltazi i tillë, duke përjashtuar në formimin e tij dhe në ushtrimin e kompetencave të tija influencat partiake? Apo ushtrimi i pushtetit presidencial te ne nuk është veçse një veshje ligjore e thelbit që ka të bëjë me raportin midis partive politike?
Më duket se kjo alternativë e fundit duket si më realiste në përputhje me gjendjen konkrete të vendit. Presidenti zgjidhet nëpërmjet një vendimi të Kuvendit sipas një shumice të cilësuar. Por, kjo shumicë ose është e mirëfilltë partiake, ose krijohet sipas pakteve dhe marrëveshjeje midis partive politike. Kjo mënyrê ndërtimi e pushtetit presidencial bën që ai të jetë tepër i brishtë përpara presioneve partiake dhe ta ketë të vështirë të luajë rolin e një aktori të tretë, sikurse e paraqet Kushtetuta, si garant i unitetit të kombit. Aq më tepër kur bëhet fjalë për rolin e tij për të firmosur ligjet e nxjerrë nga Kuvendi. Pushteti i vërtetë qëndron atëherë kur ai shprehet nëpërmjet forcës së kundërshtimit. Pushteti i vërtetë tregohet kur aktori në fjalë e ka fuqinë të thotë një «Jo» reale, pavarësisht se pasi e ka këtë pushtet, ai mund të thotë shpesh vetëm «Po». Por, presidenti te ne nuk ka të drejtë veçse një herë që ta kthejë në Kuvend ligjin e votuar nga ky i fundit. Herën e dytë, edhe një shumicë e thjeshtë do të ishte në gjendje të bënte ta rikalojë ligjin e refuzuar herën e parë. Këtë herë të dytë, presidenti nuk do të bënte tjetër veçse do të hidhte firmën mbi një ligj të imponuar nga shumica, cilado qoftë ajo. Duke u nisur prej këtej, është e vështirë për të mos arritur në përfundimin se pas unitetit ligjor dhe institucional të kombit, që duhej të ishte mishëruar te presidenti, artikulohet një realitet tjetër, ai politik, ai i marrëdhënieve midis shefave, midis partive politike. Pra, në njërën anë është ligji dhe institucioni si aspekt i jashtëm dhe formalisht mbizotërues, kurse më anë tjetër, në thelb, poshtë tij, si një subkoshiencë institucionale, qëndron impozant partitizmi, militantizmi si mendësi dhe mekanizëm lokal veprimi. Diçka e tillë reflektohet qartë në formësimin e administratës publike. Është e vështirë të mos pranosh se emërimi i nëpunësve civilë në administratë nuk ka çuar në mbushjen e radhëve të burokracisë shqiptare me militantë politikë apo me lidhje të caktuara nepotike. Ndonjëherë ka kundërshtime lidhur me sa më sipër dhe si argument, sigurisht fals dhe demagogjik, sillet si fakt që për emërimet bëhen konkurse, shpallen publikisht kritere, vendosen lista sipas meritave të çdo kandidati. A thua se po të bëhet një konkurs dhe të shpallen disa kritere, kjo ndalon procedurat e emërimit të burokratëve dhe të ekspertëve militantë që veçse janë të politizuar, në shumicën e rasteve janë edhe të paaftë për të bërë detyrat që iu janë caktuar. Mjafton të bëhen anketa të sociologjisë administrative dhe do të dalin në pah të gjitha ato raste mbizotëruese që tregojnë natyrën militante dhe partiake sidomos të administratës shqiptare gjatë viteve të fundit. Mjafton të gërvishtësh pak biografinë e burokratit, administratorit dhe ekspertit të administratës shqiptare të këtij dhjetëvjeçari të fundit dhe do të dalë pamja e militantit, e lidhjes nepotike, e personit që e ka zënë atë vend për arsye të raporteve partiake në shkallë vendi apo në shkallë lokale. Ligji dhe norma evropiane e nëpunësit civil janë mbështetur edhe ato në një mendësi dhe praktikë lokale të lidhjes personale. Një simbiozë e çuditshme, kontradiktore, shpërthyese, e mundimshme midis normës evropiane dhe mendësive dhe raportit aktual dhe lokal të forcave. Po kështu nuk ka dyshim se organizimi dhe mënyra e veprimit dhe funksionimit e institucioneve aq të debatuara si Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit apo KKRT–ja, ndonëse paraqiten si ato të organeve ligjore, të pavarura, si institucione të prejardhura nga natyra e paanshme e shtetit, ndërkaq që ato përfaqësojnë vetëm institucione që ndërtohen thjesht si raporte partiake. Përpjekja më e fundit për t’i nxjerrë ato nga partitizmi dështoi. Këto institucione duhet të ishin të paanshme si pjesë e shtetit ligjor. Ndërkaq, ato janë të dyanshme. Ndofta këto institucione prodhojnë paanshmëri partiake, për subjektet partiake, por a është e vërtetë se japin edhe paanshmëri për qytetarin? Kështu, qytetari mbyllet midis dy alternativave, të dyja të anshme, duke mos pasur më asnjë mundësi për të përfituar nga një paanshmëri që do të vinte nga ligji si vullnet i përgjithshëm i qytetarëve. Dikush mund të kundërshtonte duke thënë se vullneti i përgjithshëm i qytetarëve është diçka formale, e parealizueshme. Kurse e vetmja garanci për demokracinë është të ketë rivalitet midis partive si kusht për ekuilibrimin e shtetit. Logjikë që presupozon se koncepti i shtetit të ekuilibruar është i barabartë me konceptin e shtetit të paanshëm. Nëse këto dy koncepte do të ishin identikë, atëherë duhet thënë se shteti aktual nuk është ndërtuar mbi bazën e referencave që njihen si demokratike e që vijnë nga Ruso, Loku etj., sepse atje flitet për ligjin si vullnet i përgjithshëm, për institucionin e mbështetur në ligj, kurse shpesh hasim institucione të mbështetura në tensionin partiak dhe në ekuilibrimin e forcave politike partiake. Ndërkohë që Kushtetuta përcakton që shteti është sovran sepse ai ngrihet mbi vullnetin e kombit apo të qytetarëve dhe jo mbi vullnetin e partive. Këto ishin veçse disa shembuj që tregojnë se midis normës ligjore evropiane, legjislacionit evropian, koncepteve dhe traditave evropiane që kemi adoptuar nga njëra anë, dhe praktikave që ndjek mekanizmi dhe substrati shoqëror shqiptar nga ana tjetër ka dallime të konsiderueshme. Le të vazhdojmë të shohim edhe ndonjë fushë tjetër me rëndësi të marrëdhënieve shoqërore aktuale. Dihet se adoptimi i një sërë normash dhe rregullash perëndimore dhe evropiane që kanë të bëjnë me të drejtat individuale e kanë rritur hapësirën e lirive të personit në botën shqiptare. Ligjërisht njihet e drejta e abortit, nuk ndëshkohet më penalisht homoseksualizmi, divorci po tashmë është një praktikë e njohur si nga ana e burrit ashtu edhe e gruas, të rinjtë praktikisht, por edhe sipas normave etike të ardhura prej mediave, në radhë të parë atyre audiovizive, kanë filluar ta shndërrojnë në normë marrëdhënien seksuale paramartesore, kulti dhe miti i virgjërisë ka pësuar një bjerrje të konsiderueshme – po t’i besojmë anketave dhe studimeve që bëhen lidhur me gjendjen e opinionit publik të vendit. Duket, pra, se modeli perëndimor dhe normat legale dhe etike evropiane në jetën shoqërore, në hapësirën intime të individit, në marrëdhëniet familjare kanë zënë vend të konsiderueshëm. Vend të konsiderueshëm, po a janë bërë mbizotëruese? A janë ato të vetmet norma dhe modele ? Apo edhe më tepër: kuadri ligjor, i prejardhur prej frymës evropiane, a përkon plotësisht me vlerat e opinionit publik dhe të qytetërimeve tradicionale të vendit? Vështirë të jepet një përgjigje pohuese edhe për sa më sipër. Anketat sociologjike dhe vëzhgimet në terren na tregojnë pamje të verifikueshme dhe të larmishme të asaj se sidomos brenda familjes shqiptare, veçanërisht brezi i mesëm dhe i moshuar, e kanë të vështirë të pranojnë si marrëdhëniet seksuale paramartesore të fëmijëve të tyre, ashtu edhe faktin se ata mund të bëjnë qysh duke filluar nga adoleshenca e vonët një jetë të pavarur. Burri shqiptar e ka shumë të vështirë të pranojë ende që nuk është ai «kaposhi» i «kotecit» të shtëpisë dhe i familjes së tij. Në shumë raste burrat nënkuptojnë një farë dhune të justifikuar për ta «bindur» gruan të veprojë sipas «arsyes», që nuk është veçse arsyeja e tyre. Për të mos thënë se të rinjtë shqiptarë, edhe kur e kanë kaluar legalisht moshën e të miturve, përsëri jetojnë brenda diktatit dhe kontrollit të prindërve të tyre, të cilët iu imponojnë deri dhe vijësjellje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre shoqërore apo shijet e tyre. Ndonëse niveli i normave ligjore dhe i standardeve lidhur me të drejtat e njeriut është bërë sipas kritereve të Evropës së Bashkuar, vështirë se mund të thuhet se e tillë është bërë edhe vetë sjellja dhe mendësia reale e të gjithë shqiptarëve. Kuadri politiko-ligjor në të cilën jeton një komb, vlerat e qytetërimit të tij dhe humoret e opinionet e opinionit publik nuk janë e njëjta gjë. Këto koncepte sigurisht që kanë lidhje me njëri-tjetrin, por, gjithsesi kanë edhe veçanësi që duhen mbajtur me kujdes në konsideratë. Cilado ngatërresë midis tyre sjell pengesa të pashoqe në arsyetimin që bëhet lidhur me probleme të ndryshme shoqërore dhe për atë që quhet identitet i një kombi.
Një ngatërresë e tillë po ndodh edhe me rastin e debatit rilindas lidhur me problemi e identitetit të shqiptarëve. Ky debat po mbartet nga shumë persona, të cilët, në fakt, pavarësisht qëndrimeve në detaje të ndryshme, përsëri lidhur me metodën dhe logjikën e përgjithshme të trajtimit të çështjes, kanë ngjashmëri të theksuara me njëri-tjetrin. Mbi të gjitha ka një prirje për ta përcaktuar sjelljen kolektive apo individuale të shqiptarëve, apo mendësitë e tyre, vetëm nisur nga disa elemente « superstrukturore », pra vetëm nga feja mbizotëruese, nga tipi i sistemit politik që ka sunduar në periudha të ndryshme, nga lloji i fuqisë së jashtme që ka pas sunduar vendin, nga tërësia e normave ligjore apo etike zyrtare të një kohe të caktuar. Nga pushtimi osman nxirret mendësia dhe tipologjia lindore e sjelljes së shqiptarëve. Nga feja islame nxirret edhe identiteti i sjelljes së shqiptarëve. Nga fakti se kanë qenë dikur tërësisht apo në shumicë të krishterë nxirret prirja e tyre evropianiste etj. Sado të vërteta të ketë në këto përqasje, ato mbeten të një natyre thelbësisht ideologjike dhe bien në një ngatërresë të thellë metodologjike. Ato barazojnë shtetin, normat ligjore, me mendësitë e opinionit publik dhe vlerat e qytetërimit të njerëzve. Po të vinim në një kohë më të afërt, sipas kësaj përqasjeje formaliste, do të thoshim se gjatë komunizmit, shqiptarët kishin një identitet komunist. Edhe ata që ishin nëpër burgje sepse ishin të dënuar politikë, edhe ata që pëshpërisnin gjithë ditën kundër pushtetit, edhe ata që mbanin radion ngjitur te veshi për të pritur ardhjen e aleatëve apo për të dëgjuar ndonjë lajm kundër pushtetit, ose thjesht për të kapur tingujt e ndonjë kënge të ndaluar, do të quheshin me mentalitet komunist. Po kështu, meqenëse në fshatrat shqiptare operonin kooperativat bujqësore dhe bujqit thërriteshin kooperativistë nga ana e ideologjisë sunduese, shtetit, aparateve propagandistike apo sipas ligjeve në fuqi, atëherë të gjithë bujqit dhe fshatarët duhej të kishin një identitet kooperativist, në lëvizje, pra në dinamikë. Identitet kooperativist duhet të kishte sipas kësaj logjike edhe kryetari që ndofta sillej si në mall të tij pa pyetur për asamblenë formale të kooperativistëve të thjeshtë, edhe ai bujku që bënte si i sëmurë për të mos dalë të punonte në arë, edhe ai fshatari që qysh në orët e para të mëngjesit i hipte biçikletës apo gomarit për të shitur vezët a qepët e tij në pazarin fshatar gjysmë klandestin të qytetit më të afërt. Meqenëse regjimi komunist në Shqipëri gjatë viteve ’60 të shekullit të kaluar u bë aleat i Kinës maoiste, meqenëse e imitoi zyrtarisht revolucionin kulturor kinez, meqenëse u krijuan edhe vepra të tipit kinez, atëherë do të dilte se identiteti artistik i shqiptarëve u bë kinez, publiku adoptoi shije kineze dhe kështu e me radhë. Sjellja reale e popullsisë, vlerat e qytetërimit që nuk lëvizin veçse shumë ngadalë nga njëra anë dhe ideologjia apo normat ligjore, politike dhe juridike që rregullojnë jetën e një shoqëri nga ana tjetër, sado përputhje që mund të kenë në një logjikë afatgjatë, përsëri ato nuk janë e njëjta gjë dhe nuk duhet kurrsesi të ngatërrohen me njëra-tjetrën. Ndonëse Rilindja shqiptare shpalli parullën se feja e shqiptarit është shqiptaria, vështirë se kështu e mendonin raportin fe – komb edhe shqiptarët e thjeshtë. Ata nuk filluan të shkojnë nëpër vende të shenjta të kësaj feje, të shqiptarisë, duke braktisur kishat e xhamitë. Po kështu, vetëm sepse disa kode morale të shqiptarëve kërkonin që shqiptari të mbante besën, të ishte mikpritës, etj., prej këtej nuk mund të dilet te ideja se besa e mbajtur dhe mikpritja ishin vlerat karakteristike të të gjithë shqiptarëve. Përndryshe mund të thuhet se meqë publiku kishte raste që dëgjonte edhe këngë me ndonjë prirje homoseksualiteti adoleshent, atëherë identiteti i tij ishte pedofil. Është njësoj sikur të thuhet se meqë sot shqiptarët jetojnë në një vend demokratik, në një sistem demokratik të votuar prej atyre vet, atëherë mendësia e shqiptarëve të sotëm mund të shkruhet si demokratike!!!
As e sotmja dhe as e kaluara nuk mund të gjykohet realisht nëse ngatërrohen me njëra tjetrën normat juridike dhe politike, ideologjitë sunduese, rrymat mbizotëruese politike nga njëra anë, dhe mendësitë dhe identiteti kolektiv i njerëzve realë, i atyre qenieve që nuk mund të asimilohen te shteti, apo ideologjia e epokës, sikurse e reduktonte Hegeli individin te koncepti absolut. Edhe Marksi në shembullin e tij e asimilonte individin te klasa dhe grupi përkatës shoqëror.
Konkluzion
Nga na vjen në shkencat tona shoqërore dhe në përsiatjet letrareske kjo metodologji që barazon ideologjinë dhe politikën sunduese me vlerat e vërteta të qytetërimit lokal? Nga na vjen kjo përqasje formaliste dhe institucionaliste, krejt ekstreme, krejt abstrakte dhe krejt bosh, që e redukton të gjithë shoqërinë, individët që e përbëjnë atë, te shteti, te institucionet, te kultura mbizotëruese, te feja ? Përse kjo metodë përafruese institucionaliste ka dëmtuar, shkatërruar dhe zhvendosur krejtësisht metodën sociologjike, pra atë metodë që nuk sheh se çfarë thonë se janë njerëzit, por kundron atë që njerëzit janë në të vërtetë ? Gjykoj se na vjen në radhë të parë për shkak se metodologjia e një marksizmi të thjeshtëzuar në kulm ka pasur dhe ka rrënjë shumë të forta në Shqipëri dhe në trevat ku banon popullsia shqiptare përtej kufijve tanë shtetërorë. Në të dy anët ka pasur sunduar metodologjia e asaj që quhej në gjuhën e thjeshtëzuar të marksizmit si « përputhje e bazës me superstrukturën». Sipas saj, pak a shumë, si të ishte supertsruktura sunduese e shoqërisë, pra si të ishte shteti, feja, kultura, arti i elitave, ideologjia, ashtu do të ishte edhe vetë shoqëria. Edhe e anasjelltas ishte për të po aq e vërtetë. Sikurse thoshte Karl Popper në veprën e tij mbi shoqërinë e hapur dhe armiqtë e saj, ky lloj marksizmi i ngurtësuar, ai i sojit sllavo-rus, nuk bënte gjë tjetër veçse asimilonte faktin social në faktin institucional, pra barazonte shoqërinë me pushtetin, individin me institucionin, sjelljen praktike me normën morale dhe ligjore. Kjo lloj metodologjie e kapërcyer qysh nga fundi i shekullit të XIX – të karakterizon teoritë esencialiste, të cilat vijnë te ne qysh prej kohëve të filozofisë së Lashtësisë. Sado përmbajtja e marksizmit stalinist është kritikuar boll nga ana e elitave shqiptare andej dhe përkëndej kufirit, përsëri si metodologji, si mënyrë për ta kuptuar botën, metoda esencialiste ka zënë vend thellë dhe nuk shkulet kollaj. Ajo vazhdon të imponohet në analizat lokale që për pasojë nuk kuptojnë që fakti social është përtej institucionit dhe përtej normës etike sunduese. Burimi i dytë nga na vjen ajo lloj përqasje institucionaliste, besoj se ka të bëjë me faktin se për historinë tonë ne kemi shumë pak studime konkrete, të imta, që të hidhnin dritë mbi jetën praktike, të vogël, intime, të shqiptarëve të moçëm dhe më të rinj. Më kujtohet libri i një historiani të madh francez, i përkthyer edhe në Shqipëri, i cili bëri bujë sepse merrej me çështje të vogla të historisë, por që ndriçonin vlerat e mëdha të kombit të tij. Ai e titulloi librin «Djathi dhe krimbat». Kush na ka thënë se historia është e mbretërve dhe e shteteve dhe nuk është ajo e njerëzve konkretë që lindin, jetojnë dhe vdesin brenda, por edhe jashtë kallëpeve institucionale dhe ideologjike? Askush nuk është në gjendje t’i përgjigjet kësaj pyetjeje, por dihet se është më e lehtë të bëhet historia e pushteteve sepse ata kanë lenë dokumente në arshivat përkatëse, kanë libra që flasin për veten me anë të të diturve të tyre, kurse populli i thjeshtë jeton dhe vdes në heshtjen e vet masive. Në arshivën tonë kombëtare do të gjejmë të gjitha dokumentet e regjimeve të mëparshme, por është shumë e vështirë të ketë dokumente për shkallën e vërtetë, për shembull, të besimit te shqiptarët. Duke iu munguar lënda e mirëfilltë konkrete e jetës së përditshme, mendimtarët referohen te ato që quhen fakte të mëdhenj të historisë, dhe, më keq, e përmbledhin historinë te ata. Prandaj gabojnë rëndë. Se çfarë ishin shqiptarët gjatë shekujve tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë kërkojnë ta gjejnë te ideologjia e Rilindjes. Harrohet kështu se institucionet, sidomos ato politike, kanë edhe natyrë shtypëse, frenuese, rezistuese, kundërvepruese ndaj shoqërisë. Ato e shprehin, pra shoqërinë, por aq edhe nuk e shprehin atë, sepse me karakterin e tyre ndrydhës institucionet dëshmojnë edhe ato anë që shoqëria i ka ndryshe, të papërmbledhshme te institucioni. Në këtë kuptim, institucioni ka edhe aspekte krejt të kundërt me ato të shoqërisë ku është implementuar. Së fundi, metoda e gabuar e përmbledhjes së shoqërisë te institucionet e saj vjen deri në ditët tona edhe si një lloj oportunizmi intelektual që prej shekujsh ka tentuar të jetë sa në rezistencë të pashoqe ndaj autoritetit të pushtetit, por edhe po aq në shërbim të shtetit. Për të riardhur te çështja jonë, më konkretisht do të thoshim se norma dhe rregulla institucionale evropiane po e zgjeron rrethin e vet të veprimit te ne, por në një mënyrë shumë kontradiktore dhe jo pa probleme. Shqetësimi është se ato po hyjnë në shoqërinë tonë jo aq shumë si pasojë e presionit të opinionit shoqëror mbi ligjvënësin, sesa si një prurje nga jashtë, emancipuese, por edhe me një farë karakteri të huaj për shumë anë të mentalitetit dhe të konjukturës shqiptare. Nga njëra anë kjo do të thotë se ato e tërheqin shoqërinë drejt një modeli të caktuar, por nga ana tjetër, edhe shoqëria reagon me anë të një lloj hipokrizie individuale dhe kolektive, me anë të një dyfytyrësie, që nuk shkakton pak ngadalësi, deprimim, pse jo, edhe patologjira sociale kolektive nga më të ndryshmet, bashkëshoqëruese të një personaliteti të dyzuar.
Pedagog, filozof dhe bashkëpunëtor shkencor i laboratorit LADYSS (CNRS - Universiteti Paris X), Francë.
|
Numrat e Revistës Polis
Më të lexuarat
Who's Online
We have 7 guests onlineMenuja kryesore
| HOME |
| RRETH POLIS |
| BORDI EDITORIAL |
| STANDARTI I CITIMIT |
| KRITERET E VLERËSIMIT |
| KONTAKT : . |

Login Form






![]() | Sot | 102 |
![]() | Dje | 103 |
![]() | Kete jave | 277 |
![]() | Javen e shkuar | 618 |
![]() | Kete muaj | 732 |
![]() | Muajin e shkuar | 3837 |
![]() | Gjithe vizitat | 35745 |
Your IP: 38.107.191.97
,
Today: Sep 08, 2010









