| HIBRIDIZIMI I HAPËSIRËS POLITIKE |
|
|
|
|
Transformimi i hapësirës politike nën tensionin mes legjitimitetit legal të pushtetit dhe legjitimitetit që vjen nga jashtë - rasti i Shqipërisë 1990-2004 Nga MA. HENRI ÇILI
Nocioni i legjitimitetit të pushtetit në debatin publik në Shqipëri është një problem relativisht i vonë, duke folur gjithnjë për periudhën pas vitit 1990, kur nisën ato që quhen në ligjërimin lokal si “proceset demokratike”. Është i vonë madje edhe në vetë dinamikën e procesit të demokratizimit, po të kemi parasysh se termin “legjitimitet” apo debatin rreth tij e ndeshim në media, dhe ligjërimin politik kryesisht pas problemeve të zgjedhjeve të vitit 1996. Pa përjashtuar ndonjë trajtim rastësor apo teorik, mund të thuhet se rreth problemit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ka nisur dhe është zhvilluar debati për legjitimitetin në axhendën e temave të ditës. Kronika në linja të trasha e proceseve demokratizuese në Shqipëri, në kuptimin e përkufizimit dhe klasifikimit të tyre, do të ishte kjo: Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, Shqipëria iu fut një procesi demokratizimi mbështetur mbi parimet e pluralizmin politik, tregun e lirë, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, proces i cili përkufizohet rëndom si “tranzicioni drejt demokracisë”. Në dinamikën e vendeve evropiane, që i janë nënshtruar një procesi demokratizimi pas përvojave totalitare, ajo klasifikohet në atë që quhet vala e tretë e demokratizimit, pas tranzicionit demokratik të vendeve të Evropës Jugore si Spanja, Portugalia apo Greqia, duke hyrë në grupin e atyre vendeve, që procesin e demokratizimit e nisën pas rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Por, konstruktimi i kuadrit demokratik të Shqipërisë formon një rast më vete në procesin e demokratizimit, në ndryshim nga demokracitë e tjera të reja në Evropë, për shkak të një elementi esencial të ndryshëm nga të tjerët: prania dhe roli i faktorit ndërkombëtar në zhvillimet e brendshme. Mund të binim lehtë në pohimin se në këtë aspekt Shqipëria nuk është aspak unike. Në çdo vend të Lindjes, nga Çekia tek Lituania, roli i faktorit ndërkombëtar, sidomos nëpërmjet proceseve se integrimi, ka qenë mjaft i rëndësishëm. Por vertikaliteti dhe horizontaliteti i pranisë së komunitetit ndërkombëtar gjetkë, përjashto vendet e ish – Jugosllavisë për shkak të luftës, nuk ka qenë i tillë si në Shqipëri. Për shembull asnjë vend nuk ka përjetuar një operacion paqeruajtës në kushtet e trazirave të brendshme, siç ishte rasti i operacionit “Alba” në vitin 1997, dhe nga ana tjetër, asnjë prej vendeve të marrë për bazën krahasuese nuk ka një të tillë marrëveshjeje me OSBE[1] si Shqipëria, ku kësaj të fundit i jepeshin vërtet prerogativa në vendimmarrjen e brendshme që i takojnë normalisht institucioneve të një shteti sovran. Kjo u pa më tej me funksionin legjitimues që morën raportet e OSBE-së për vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Është ky element, pra roli i komunitetit ndërkombëtar në asistimin e demokracisë shqiptare, ai që përbën rastin shqiptar në një masë të tillë, sa është jashtëzakonisht e vështirë sot në Shqipëri të dallosh se ku është "dora" e faktorit vendas në një masë të marrë, në një institucion të ngritur, dhe ku është ajo e organizmave ndërkombëtare, e FMN-së, Bankës Botërore, Komunitetit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo Italisë, Greqisë e kështu me radhë. Shqipëria e kishte të nevojshme në fillim të viteve ‘90-të të thërriste në qeverisjen e vendit faktorin ndërkombëtar, për një arsye të thjeshtë: kapacitetet e saj ekonomike, institucionale dhe njerëzore për të kryer tranzicionin demokratik, ishin minimale ose mungonin fare. Nga pikëpamja ekonomike ajo ishte në një gjendje katastrofike, për shkak të mungesës masive të furnizimit të rrjetit shtetëror të dyqaneve, për shkak të rënies drastike të prodhimit vendas dhe për shkak të mungesës së mjeteve financiare, valutës së fortë për të blerë në tregun perëndimor. Prandaj ajo i bëri thirrje urgjente Perëndimit për ndihma ushqimore humanitare të të gjitha llojeve, deri tek ai që u njoh me emrin “operacioni Pelikan” i ushtrisë italiane, i cili shpërndante në të gjithë vendin ushqime të nevojës së parë. Fjala “ndihmat” qe bërë një eufemizëm i zakonshëm në zhargonin popullor të viteve 1991-1994, aq sa rreth tyre zhvillohej dhe beteja politike mes aktorëve lokalë. Kështu për shembull, në zgjedhjet e vitit 1992 Partia Demokratike e opozitës, në një slogan elektoral të saj thoshte "Ne qeverisim, bota na ndihmon". Nga ana tjetër, ish-kryeministri i fundit i qeverisë komuniste, Fatos Nano, u dënua me 11 vjet burg për një skandal lidhur me ndihmat italiane të vitit 1991. Po ashtu, Bashkimi Evropian dhe FMN-ja mbulonte një pjesë të konsiderueshme të bilancit të pagesave për zyrtarët publikë, arsimin, ushtrinë, shëndetësinë etj. Kurse specialistët e huaj, kryesisht juristë dhe ekonomistë, ishin të domosdoshëm në reformën ekonomike dhe atë të institucioneve, aq sa ata ishin vendimmarrësit e vërtetë në kushtet e mungesës së kompetencës së zyrtarëve shqiptarë, aq më pak e specialistëve vendas. Për gati 40 vjet në Shqipëri nuk kishte më shkollë dhe formim profesional për ekonominë kapitaliste apo të jurisprudencës së një shteti demokratik dhe liberal. Gjatë regjimit komunist, të vetmit që kishin një farë formimi bashkëkohor me botën perëndimore në fushat e tyre, ishin specialistët e shkencave të natyrës apo ata të minierave dhe industrisë. Kishte shumë pak ose aspak specialist të formuar në shkencat humane si ekonomi, drejtësi, sociologji apo filozofi, degë të cilat ishin të domosdoshme për të konstruktuar hapësirën e re politike të kushteve të reja, të një demokracie liberale të modelit perëndimor. Diskuri i ri i ditës dukej i huaj krejtësisht për publikun kur flitej për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, ndarjen e pushteteve, kontrollin dhe balancën e pushteteve, privatizimin masiv, apo bursën. Në këtë shkretëtirë të burimeve njerëzore dhe të njohurive për sistemin e ri, nevoja e specialistëve të huaj ishte jetike dhe legjitimiteti i fjalës së tyre as që vihej në dyshim dhe barazohej me vetë sistemin. Tranzicioni shqiptar nga pikëpamja e strukturimit të hapësirës së re politike sipas modelit të demokracisë liberale, përveç dinamikës se brendshme, lojës dhe interesave lokale, vjen dhe na shpërfaqet kryesisht produkt i pranisë, ndihmës dhe asistencës, apo më mirë të themi e vendimmarrjes së faktorit ndërkombëtar, pikësëpari atij perëndimor, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë kuptim, prania e fortë ndërkombëtare në demokracinë e re shqiptare, edhe si një kundërpeshë e një 15-vjeçari të fundit të diktaturës komuniste, ku sundonte parmi i “mbështetjes me forcat e veta” dhe izolacioni i plotë, ishte më shumë se e nevojshme, ishte mjaft legjitime. Autoriteti i faktorit ndërkombëtar në sytë e aktorëve të brendshëm ishte unanim, e artikuluar kjo që në protestat e studentëve, që pasuan me lejimin e pluralizmit politik, në parullat e të cilëve thuhej “"E duam Shqipërinë si e gjithë EVROPA”. Nga ana tjetër, faktori lokal politik e kishte “hapjen” si një lajtmotiv kryesor të vetin në kushtet e izolimit të gjatë të vendit. Dinamika e re e brendshme dhe rrethanat e jashtme në legjitimimin e një pushteti. Në momentin kur më 12 tetor të vitit 1990, pas protestave e studentëve në qytezën universitare të Tiranës, dhe pas përkrahjes së gjerë të tyre nga populli i kryeqytetit, pleqtë e byrosë politike vendosën të lejojnë krijimin e partive të tjera politike pak njerëz ishin të vetëdijshëm për ndryshmin rrënjësor që do të pësonte hapësira politike vetëm me këtë akt të vetëm: lejimin e krijimit të organizatave politike. Themelimi i partisë së parë opozitare, Partisë Demokratike, dhe më pas i shumë partive të tjera, do të shënonte një ndryshim themelor në mënyrën, ligjërimin dhe procedurën e mëtejshme të legjitimimit të pushtetit në Shqipëri tani e tutje. Kjo implikoi drejtpërdrejt dhe daljen në skenë të institucionit të zgjedhjeve të lira, të ndershme, të barabarta dhe të fshehta, tanimë si forma e vetme e marrjes dhe lënies së pushtetit nga partitë politike. Tani e tutje qytetarët do të organizoheshin lirisht nëpër organizata politike, partitë politike, të cilat në një periodicitet të caktuar do të garonin mes tyre me kandidatët e vet për të marrë shumicën e votave dhe për pasojë për të qeverisur vendin në nivel lokal dhe qendror. Kjo mënyrë e re e legjitimimit të pushtetit pas përvojës dhjetëravjeçare, ku procesi politik nuk ishte në dorë të qytetarëve, ku zgjedhjet ishin formale dhe ku në të vërtetë nuk konkurrohej mes kandidatësh apo forcash politike, krijonte një dinamikë krejt të re të shprehjes politike të interesave të qytetarëve, të ndjeshmërive politike, ideore të komunitetit politik. Aktorët shoqërorë tani e tutje mund të artikuloheshin lirisht si pasojë e interesave të tyre, të bindjeve të tyre, të trashëgimisë së tyre. Kështu, në radhë të parë ata që nuk e kishin dashur sistemin diktatorial apo Partinë Komuniste, mund të renditeshin tek partitë e opozitës. Nga ana tjetër, pasardhësit e forcave të tjera politike, të cilat komunistët i shtypën menjëherë pas mbarimit të luftës, mund të rindërtonin formacionet e tyre politike, siç ishin forcat e Ballit Kombëtar apo nostalgjikët e ish-mbretërisë dhe Ahmet Zogut, që e konsideronin gjithnjë jolegjitim suprimimin e regjimit monarkik, mund të ndërtonin forcën e tyre politike. E njëjta gjë mund të thuhet për ish-pronarët e shpronësuar, ish-të përndjekurit politikë e kështu me radhë të gjitha grupet shoqërore. Krahas shprehjes së lirë të identiteteve dhe interesave politike, këto grupe shoqërore nisin të organizohen në formacione politike dhe të përgatiten për betejat e para elektorale të lira. Hapësira e re demokratike i dha kështu mundësinë trupit politik të shprehej në një mënyrë krejt të re, të lirë dhe në bazë të një procedure demokratike, racionale, të njohur dhe të mirëpranuar nga të gjithë aktorët shoqërore e politikë; zgjedhjet e lira, të ndershme, të barabarta. Ushtruesi i pushtetit do të ishte ai që do të dilte fitues i kësaj procedure, që do të grumbullonte më shumë vota të qytetarëve me të drejtë vote. Shkurt, trupi shoqëror, më shumë sesa si vullnet i brendshëm për analogji me atë që ndodhte në Perëndim, pranoi lojën demokratike në gjirin e hapësirës politike të aktorëve të ndryshëm në funksion të marrjes dhe ushtrimit të pushtetit. Pranoi pra “legjitimitetin racional, juridik”[2], nëse do t’i referohemi termit të sociologut gjerman Max Weber. Por nuk është vetëm kjo dinamikë e brendshme ajo që merr pjesë në procesin politik vendas. Një aktor tjetër shumë i rëndësishëm tanimë i pranishëm si domosdoshmëri i asistimit të procesit të tranzicionit politik është faktori i jashtëm. Faktori ndërkombëtar ka pranuar të ndihmojë Shqipërinë në këto ndryshime demokratike të vështira dhe të dhimbshme, për dy arsye: sepse Shqipëria ndodhet në portat juglindore të Evropës, në një pozitë kyçe për gjeopolitikën e rajonit, dhe jo më larg se 70 milje larg brigjeve italiane. Mjafton të kujtojmë këtu rolin lider të Italisë, si fqinji më i madh i afërt i BE-së, në asistimin e Shqipërisë në të gjitha fushat në 6- 7 vitet e para. Kjo e fundit ndërtoi operacionin “Pelikan” në 1991 – 1994, për të shpërndarë ndihma ushqimore në të gjithë Shqipërinë, pas eksodeve biblike të vitit 1991, drejt Italisë dhe po ashtu udhëhoqi operacionin ALA në 1997-ën për të rivendosur rendin dhe gjendjen e brendshme. Në radhë të parë, stabiliteti dhe qëndrueshmëria e vendit janë një kontribut për sigurinë e kontinentit evropian. Po ashtu, stabiliteti, shmangia e trazirave civile në këtë vend janë garanci për të mos lëshuar në brigjet perëndimore të Adriatikut eksode me mijëra qytetarë të uritur dhe të pashpresë, që kërkojnë një jetë më të mirë. Këta të fundit do të trazonin jo thjesht ndërgjegjen e “Perëndimit të nginjur” tek shihte “shqiptarët e uritur”, por dhe jetën e pasurinë e qytetarëve të Perëndimit. Po ashtu, Perëndimi ka pranuar të ndihmojë Shqipërinë në një rrugë kalimi në një model politik dhe ekonomik si ai i veti, i cili në një kohë të dytë do ta shndërronte vendin në një hapësirë paqeje, stabiliteti dhe zhvillimi dhe në një treg të ardhshëm. Në këtë gamë interesash dhe lojërash gjeopolitike faktori ndërkombëtar e ka kushtëzuar ndihmën ndaj Shqipërisë dhe ndaj aktorëve vendas në pushtet. Kështu, do të mbështeten ata aktorë, të cilët i kontribuojnë procesit të reformave të nisura të tregut dhe atyre të institucioneve demokratike; që shpien në zhvillim demokratik, në një sistem të lirisë ekonomike, i cili garanton liritë politike të qytetarëve dhe liritë dhe të drejtat e tjera themelore. Për sa kohë përkrahja e faktorit ndërkombëtar dhe ndihma e tij e mëtejshme është jetike lind si pasojë edhe një funksion legjitimues i komunitetit ndërkombëtar në dinamikën e brendshme, në lojën demokratike të brendshme. Thjesht fare, në sytë e qytetarëve është më i preferuar ai kandidat, ajo parti, e cila ka më shumë mbështetje ndërkombëtare, prej së cilës Shqipëria dhe qytetari i thjeshtë presupozohet se do të përfitojë më shumë ndihma, investime, viza, apo shkollim. Pra, tanimë, në këtë fazë të parë sidomos, ky funksion legjitimues i faktorit të jashtëm është bazik dhe shumë influent ende sa pa vajtur votuesi në kutinë e votimit. Por edhe pas rezultatit elektoral përkrahja ose mospërkrahja nga jashtë luajnë rol të jashtëzakonshëm në mbetjen ose rënien e pushtetit. Në një fazë të mëtejshme, kur kalon emergjenca e parë, roli legjitimues i faktorit ndërkombëtar transformohet në forma të tjera. Ai rivlerësohet tanimë në funksion të ecurisë së dinamikës së brendshme, kur loja demokratike është e pastabilizuar dhe funksioni auto-rregullues i sistemit mungon ende, ose është i dobët. Në këtë rast, kur dinamika demokratike e brendshme bllokohet dhe askush nuk e ka aftësinë e arbitrimit të lojës së brendshme për të përcaktuar "kush ka të drejtë", "kush ka gabim", për të përcaktuar ndëshkimin dhe rivendosjen e së drejtës, komuniteti ndërkombëtar merr rolin e një “arbitri”. Në këtë moment funksioni i tij legjitimues që kishte në fillim shndërrohet në një legjitimitet më vete, në legjitimitetin që vjen nga jashtë. Tanimë në hapësirën politike lokale faktori ndërkombëtar bëhet një aktor më vete, dhe si "arbitër" ai në fakt shfaqet vetë si legjitimuesi" ose "de-legjitimuesi" i pushtetit në demokracinë e re shqiptare. Sepse mekanizmi politik lokal e ka të vështirë të funksionojë si vetërregullues apo të përmbahet brenda disa normave kryesore, pa praninë apo presionin e faktorit ndërkombëtar. Pa këtë prani ndërkombëtare “skenari ideal” do të ishte Shqipëria e vitit 1996 – 1997. Pa ndërhyrjen dhe presionin e faktorit ndërkombëtar Partia Demokratike e Sali Berishës do të kishte vijuar të qeveriste me një Parlament, ku 122 nga 155 deputetët i kishte ajo dhe kundërshtari kryesor, Partia Socialiste, kishte vetëm 9 deputetë. Nga ana tjetër, Partia Socialiste, pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar me siguri do ta kishte dashur të ta çonte finishin e trazirave të viti ’97 ndoshta në një qeveri të “komiteteve të shpëtimit kombëtar”. Legjitimiteti i brendshëm dhe legjitimiteti i jashtëm, dy logjika të ndryshme Në një kohë të dytë, në momentin kur faktori i jashtëm e fiton këtë rol legjitimues në funksion të pushtetit të brendshëm, edhe pse në nisje, ai kishte të njëjtat qëllime si aktorët e brendshëm për ndërtimin e një demokracie liberale në vend, logjika dhe interesat e aktorëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm vijnë pak nga pak dhe diferencohen. Edhe pse janë pak a shumë në të njëjtat linja të mëdha, për tema konkrete, për kohën e aplikimit të kësaj apo asaj politike, ato ndahen gjithnjë e më tepër. Mekanizmi që strukturon përmbajtjen dhe përcakton vendimmarrjen e aktorëve të brendshëm, është krejt tjetër nga i faktorit të jashtëm. Kështu, faktori i brendshëm e strukturon aksionin e tij në funksion të interesave të grupeve shoqërore që e mbështesin, të një tradite dhe ndjeshmërie kombëtare rreth temave të caktuara të axhendës rajonale apo të problemeve me fqinjët, rreth disa akseve të qëndrueshme të gjeopolitikës të vendit. Dhe mbi të gjitha, aktorët politikë të brendshëm në funksion të marrjes dhe ruajtjes së pushtetit, janë vazhdimisht të orientuar nga logjika elektorale: sa elektoral është ky apo ai vendim, sa vota humbet apo fiton kjo forcë politike, duke aplikuar këtë masë apo atë masë politike. Krejt e ndryshme është logjika e faktorit ndërkombëtar. Së pari, faktori ndërkombëtar është krejt i përçarë dhe me interesa të diversifikuara kundrejt një vendi të tillë të vogël. Ai është konsensual vetëm në disa linja të mëdha gjeopolitike të rajonit dhe pjesa tjetër e faktorëve që merr pjesë në ndërtimin e aksionit të komunitetit ndërkombëtar është me natyrë të paqartë, është subjektive apo situacionale. Por, mbi të gjitha, komuniteti ndërkombëtar nuk ka asnjë përgjegjësi para ndokujt për përmbajtjen e aksionit të vet. Në radhë të parë, nuk ka asnjë përgjegjësi kundrejt atyre mbi të cilët rëndon vendimmarrja e tij: komunitetit politik lokal, që në këtë rast janë qytetarët shqiptarë. Sepse ndërkombëtarët as votohen dhe as japin llogari për aksionin e tyre. Si diplomatë, ata japin llogari në vendet e tyre, para qytetarëve të tyre, të cilët i kanë zgjedhur në funksion të një politike të jashtme për interesat e tyre. Me kalimin e kohës, ose në mënyrë gjenerale, ose për çështje të ndryshme, faktori i jashtëm dhe ai i brendshëm janë të prirur të fërkohen dhe ndeshen: nëse ligjërimi lokal ka prioritet një problematikë tjetër, ai ndërkombëtar një tjetër. Një ilustrim i spikatur nga kronika e kohës për këtë: Kështu, në vitin 2001, kur kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ndërmori një fushatë për pastrimin e partisë së tij nga korrupsioni duke bërë thirrje për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Ilir Meta, kryetar i Komisionit Evropian, Romano Prodi, erdhi në Shqipëri më 28 nëntor 2001 dhe tha lakonikisht: “Stabilitet, stabilitet, stabilitet”[3] Kështu, një tension i vazhdueshëm sundon në marrëdhëniet mes faktorit lokal dhe atij ndërkombëtar. Hapësira politike pak nga pak nis dhe ndjen efektin e këtij tensioni, i cili ndikon në mënyrë esenciale mbi vetë ligjësitë e funksionimit të një hapësire politike demokratike. Kuadri i hapësirës politike nis dhe turbullohet dhe ne kemi një hapësirë politike hibride. Ajo nuk është më as një hapësirë politike që funksionon mbi bazën e mekanizmit demokratik, lojës demokratike dhe legjitimitetit racional dhe juridik; nuk është as një hapësirë politike e qeverisur nga jashtë prej ndërkombëtarëve në formën e një protektorati ndërkombëtar. Mekanizmi legjitimues i pushtetit nuk mbështetet më as plotësisht tek vota e qytetarëve, as tek delegimi i autoritetit ndërkombëtar. Ashtu sikurse e gjithë kjo ka nevojë të plotësohet me evoluimin e aksionit të aktorëve të jashtëm, të cilët në skenën e brendshme kalojnë nga pozitat e diplomacisë dhe të strukturimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe, në një “aktor më vete” në hapësirën politike lokale, për të përfunduar tek roli i “palës së tretë”. Për të vlerësuar apo më saktë për të operuar në një situatë të tillë bashkëveprimi mes aksionit politik me burim lokal dhe atij me burim të jashtëm, është e nevojshme të shkojmë të burimet e konceptit të legjitimitetit dhe evoluimit të tij në kohë e hapësirë. Në radhë të parë del nevoja e konsolidimit i konceptit të "legjitimitetit " përmes kalimit tek aktorë të ndryshëm: Weber, Platon, Monteskje, Hobs, si dhe ndarja e bashkëveprimi i legjitimitetit me koncepteve të tjera që i asociohen atij, si "autoriteti”, “pushteti”, “sovraniteti”, “dominimi”. Pas konsolidimit të këtyre koncepteve dhe në përputhje me to, është e nevojshme të merret në analizë ligjërimi politik i aktorëve lokalë dhe atyre ndërkombëtarë më me influencë në Shqipëri. Nga aktorët lokalë është me interes të analizohet dinamika rreth temës në fjalë, i dy prej liderëve politikë kryesorë të tranzicionit shqiptar, kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Kufizimi tek ligjërimi politik i këtyre dy liderëve është i përligjur me faktin që ata përfaqësojnë në mënyrë të qëndrueshme gati 90 për qind të elektoratit shqiptar. Po ashtu, ligjërimi i tyre në dinamikën 15-vjeçare në fakt nuk është “ligjërimi i dy personave”, është “ligjërimi përfaqësues” i drejtuesve të dy formacioneve më të mëdha politike në vend, ligjërim që reflekton ndjeshmëritë, situatat, gjendjet ideore dhe elektorale që pjesë të shoqërisë si Partia Demokratike dhe Partia Socialiste përfaqësojnë në Shqipërinë politike të pas vitit ’90. Kurse nga aktorët ndërkombëtarë paraqesin interes për t’u analizuar raporte të ndryshme të organizmave ndërkombëtare për Shqipërinë dhe zgjedhjet atje, deklarata dhe raporte të OSBE-së, BE-së si dhe të Departamentit të Shtetit dhe Ambasadës së SHBA-së në Tiranë si dhe deklarime publike dhe intervista të ambasadorëve të këtyre organizatave ose shteteve në Tiranë. Në sferën politike “legjitimiteti” paraqet një kundërpërgjigje ndaj kapriçove të anarkisë, të arbitraritetit apo ndaj “politikes së paarsyeshme; ai i jep autoriteti politik në fuqi një forcë të plotë aksioni dhe reagimi. Shumë autorë ndërhyjnë në këtë mes, ose më saktë konkludojnë mbi domosdoshmërinë apo dobinë e “të qenit legjitim”, kur bëhet fjalë për një pushtet apo autoritet publik. Kështu Maks Weber shtjellon që “pa legjitimitet pushteti është i paralizuar dhe përfundon në shpërthim”[4] . Guiglielmo Ferroreo, përpunues i konceptit politik të legjitimitetit në librin e tij “Legjitimiteti, gjeniu i padukshëm i qytetit”, nënvizon se “legjitimiteti përmban frikën dhe kërcënimin ndaj të cilave janë të ekspozuar kundrejt njërit - tjetrit të qeverisurit dhe qeverisësit”[5]. Në funksion të legjitimimit të pushtetit, një hapësirë politike e caktuar në një moment të caktuar aplikon një formë të caktuar legjitimimi. Në rastin e Shqipërisë dhe në përgjithësi në rastin e demokracive të reja që bëjnë pjesë në valën e tretë të demokratizimit të vendeve në zhvillim, forma e re e legjitimimit të pushtetit janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Pra, legjitimiteti racional apo juridik i pushtetit, i shprehur ky në një “neutralitet axiologjik”, që do të thotë: një procedurë legale zgjedhore, e cila është neutrale kundrejt secilit aktor që hyn në garë, ose që plotëson kushtet për të hyrë në garën elektorale. Në një moment të supozuar zero të kësaj rruge, gjithçka është e qartë: tani e tutje aktorët politikë, që përfaqësojnë grupe të ndryshme të shoqërisë, do të konkurrojnë mes tyre me programe dhe ekipe, sipas një procedure të caktuar, për të cilën palët që kanë hyrë në garë i kanë pranuar që në fillim të famshmet rregullat e lojës. Shumica e zgjedhësve do të përcaktojë dhe atë që fiton pushtetin për një mandat të caktuar. Por shpejt ky model nis dhe gjendet nën efektin e faktorëve të tjerë, të cilët e deformojnë principin e vendosur në këtë "moment fillestar" të dhënë të "kontratës politike". Në skenë si një domosdoshmëri, për shumë arsye shfaqet faktori ndërkombëtar ose ndërkombëtarët. Në fillim është nevoja për ndihmë ekonomike nga jashtë, për asistencë teknike, njerëzore dhe ekspertizë për sistemin e ri që po ndërtohet, ajo që bën që komuniteti ndërkombëtar të jetë i lutur të vijë për të marrë pjesë në hapësirën politike. Nga ana tjetër, përtej kësaj nevoje që ka vendi dhe institucionet publike për këtë ndihmë nga jashtë, e të gjitha formave kjo, duket se prania e faktorit ndërkombëtar është gjithashtu shumë legjitime dhe e preferuar në sytë e qytetarëve. Përderisa ne duam "ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Evropa", përderisa duam të aplikojmë, të kopjojmë në vendin tonë modelin perëndimor, pra të “imitojmë” Perëndimin, ndërkombëtarët janë jo vetëm ata që po na ndihmojnë për të kaluar krizën humanitare, për të rindërtuar rrugët, shkollat, spitalet, por ata janë dhe “modeli” që duam të imitojmë. Ndërkombëtarët shfaqen në hapësirën politike jo thjesht si nevojë, por dhe si të mirëpritur, madje të “adhuruar” nga komuniteti politik. Në këtë moment të parë roli i tyre vjen dhe bëhet i rëndësishëm në raport me aktorët lokalë dhe zgjedhësit. Në sytë e zgjedhësve, ai aktor politik lokal që ka marrëdhënie më të ngushta me komunitetin ndërkombëtar, që është i aftë të sigurojë më shumë ndihmë, më shumë asistencë për vendin, të përparojë më shpejt integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, ai është sigurisht dhe më “legjitim” në skenën e brendshme. Aksioni i tij është me efikas në skenën e brendshme jo thjesht për shkak të legjitimimit të tij në skenën lokale, por dhe për shkak të ndihmës së huaj. Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar është i prirur të shtojë mbështetjen, ndihmën apo inkurajimin për aktorët lokalë, të cilët janë me mbështetje popullore të gjerë. Sipas parimit të efikasitetit, harxhohen më pak energji për të prodhuar një rezultat politik, kjo duket diçka normale. Në këtë mënyrë, në këtë fazë të parë, komuniteti ndërkombëtar në sytë e bashkësisë politike dhe të qytetarëve të thjeshtë identifikohet me palën në pushtet, pra “është bërë njësh me ta”. Ky “përforcim” prej dy legjitimitetesh që posedon aktori në pushtet, nuk ka sesi të mos degradojë në një shkarje drejt arbitraritetit politik, arrogancës, prishjes së rregullave të lojës. Sidomos në një vend ku kultura politike është e mangët dhe aftësia vetërregulluese e sistemit politik është ende e brishtë. Mjafton të kujtojmë mbështetjen e madhe ndërkombëtare të presidentit Berisha në fillim të viteve ‘90, e cila ishte një prej arsyeve të arrogancës së pushtetit të tij në mesin e viteve ‘90 më zgjedhjet problematike të 26 majit dhe represionin ndaj opozitës. Në një kohë të dytë, në momentin kur konflikti politik ka mbërritur në një pikë kritike ose është në prag dhe ku ky konflikt rrezikon të hedhë në erë veç të tjerash edhe investimin e komunitetit ndërkombëtar, këtij të fundit i duhet tanimë të ndërrojë rolin me shpejtësi. Nga një mbështetës dhe asistues i faktorit të brendshëm, në një “ndërmjetësues” i konfliktit që kërcënon me shkatërrim gjithçka. Në këtë çast hapësira politike ka hyrë në një krizë të fortë; Tanimë nuk është më e mundur të sigurohet një farë integriteti i kësaj hapësire politike pa praninë prej “ndërmjetësuesi” të komunitetit ndërkombëtar. Dhe më tej ajo nuk mund të funksionojë pa arbitrimin e ndërkombëtarëve. Ky model, pak a shumë i teorizuar në këtë mënyrë, është Shqipëria në ngjarjet politike dhe krizat e marsit 1997 dhe protestat e fuqishme të opozitës në shkurt të 2004-ës. Komuniteti ndërkombëtar është kthyer në ndërmjetësin politik mes aktorëve politikë të brendshëm, në “vlerësuesin” apo "noterin" e procedurës demokratike, i vlerësimit të zgjedhjeve apo i vendimeve të rëndësishme politike. Si pasojë e këtij dimension të ri të legjitimitetit të faktorit ndërkombëtar edhe principet e legjitimitetit, të autoritetit apo sovranitetit nisin dhe transformohen për t’u shndërruar në forma hibride të modeleve origjinale apo teorike të autoritetit apo legjitimitetit. Për aktorët lokalë, loja e tyre politike nuk zhvillohet më si më parë. Krahas strukturimit të aksionit politik në funksion të elektoratit, i cili normalisht është legjitimuesi i vetëm i aksionit të tyre, ata duhet ta strukturojnë atë edhe në funksion të interesave, të axhendës dhe dinamikës e faktorit ndërkombëtar. Është mjaft e vështirë t'i takosh këto dy logjika, atë të interesave dhe axhendës së elektoratit dhe atë të interesave dhe axhendës së ndërkombëtarëve. Ato zhvillohen secila në drejtimin e tyre, duke iu nënshtruar principeve krejt të ndryshme. Hapësira politike nis dhe turbullohet dhe zgjedhësit kanë përshtypjen se ata “nuk vendosin më”; se vendimet merren në ambasada, në Bruksel apo Uashington; se sido që të votojnë ata në zgjedhje, e rëndësishme është se “kujt do t'ia japë fitoren OSBE-ja apo ndërkombëtarët”. Kjo manifestohet dukshëm në perceptimin që gazetat apo gazetarët kanë mbi “faktorët” që e çojnë një parti drejt humbjes apo fitores. Mjafton të shohësh shtypin e kohës për të dalluar se të gjithë hetojnë me vëmendje çdo detaj të aksionit të ndërkombëtarëve lidhur me aktorët lokale. Kështu, zgjedhjet e vitit 2001 u duk se do të fitoheshin nga Partia Socialiste, apo se asaj do t’i njihej fitorja. Pak kohë para zgjedhjeve kryeministri i ri, Ilir Meta, bëri një vizitë në Shtëpinë e Bardhë, në SHBA, dhe pati një takim më zv.presidentin Dik Cenei dhe u takua shkurt në korridoret e Shtëpisë së Bardhë edhe me presidentin amerikan Bush. Detaje të tilla peshojnë shumë në skenën lokale. Po ashtu, aktorët politikë lokalë në funksion të mbijetesës së tyre politike janë të detyruar të ndërtojnë një aksion politik krejt tjetër, që merr parasysh këtë princip të ri, sipas të cilit funksionon hapësira politike tani e tutje, me praninë përcaktuese të ndërkombëtarëve në të. Aktorët lokalë dhe mbi të gjitha elektorati, zgjedhin dhe zgjidhen, por ata praktikisht nuk vendosin më vetë. Ose nuk vendosin më vetëm ata. Kjo, duke filluar që nga momenti me krucial: kush është fituesi i zgjedhjeve dhe gjithë të tjerat që vijnë pas kësaj. Roli i aktorëve ndërkombëtarë në një hapësirë politike hibride: ata vendosin por nuk janë të zgjedhur. Komuniteti ndërkombëtar është jashtëzakonisht aktiv në Shqipëri, jo vetëm pse ka qenë gjatë gjithë këtyre viteve një kontribues financiar shumë i madh; jo vetëm pse është një kontribuator i madh në ekspertizë dhe asistencë teknike për reformat në vend, por edhe për arsye gjeopolitike atij i duhet të jetë shumë aktiv në terren. Shqipëria ndodhet në një zonë gjeopolitike kyçe, në një rajon të trazuar apo në një pikë tranziti në portat e Perëndimit me të gjitha sa implikon kjo: trazira, trafiqe apo eksode probabël. Dhe së fundi, po aq e rëndësishme, prania e tij është bërë e domosdoshme për të ruajtur ekuilibrin politik në vend, për të mbështetur aftësinë "autorregullatore" të sistemit politik ende jashtëzakonisht të brishtë. Për të gjitha këto arsye dhe për shkak të dinamikës që ka pësuar aksioni i komunitetit ndërkombëtar në terren, që nga viti 1991, nga një asistues i fushës politike, në një ndërmjetës apo lehtësues i lojës politike të brendshme deri tek shndërrimi në një arbitër dhe gjykatës i dinamikës së brendshme, ndërkombëtarët tani janë “pala e tretë” në hapësirën politike. Nëse hapësirën politike do ta ndajmë në mënyrë imagjinare në qeveria dhe opozita, me gjithë çfarë implikon kjo ndarje në elektorat, pra do të kishim dy palët e para, ndërkombëtarët do t’i quajmë për konvencion “pala e tretë”. Kjo palë në hapësirën e re politike hibride ka një status krejt origjinal. Ajo ka fituar statusin e “palës së tretë” në kuptimin që gjykon verifikon, certifikon apo noterizon procedurën demokratike në aspektet e saj themelore, siç janë ecuria e proceseve zgjedhore dhe reformat e rëndësishme në vend. Nga ana tjetër, “pala e tretë”, pra komunitetit ndërkombëtar, për të plotësuar funksionin e parë, i duhet të shprehet periodikisht "çfarë është mirë apo çfarë është keq" në aksionin e dy palëve të para. Duke bërë këtë, ai hyn direkt si bashkautor me dy palët e tjera në strukturimin e aksionit politik të brendshëm. Por, në ndryshim nga dy palët e tjera, kjo e fundit ka një specifikë: ajo nuk votohet nga elektorati, nuk jep llogari për përmbajtjen dhe rezultatin e aksionit të vet. Është jashtë logjikës që ndërkombëtarët të mund të mendohej se do të votoheshin, duke qenë aktorë politikë të plotë në hapësirën politike. Në këtë mënyrë, pala e tretë ose ndërkombëtarët vendosin, por nuk votohen. Edhe kritikët më të mëdhenj të rolit të komunitetit ndërkombëtar në Tiranën politike as e shkojnë ndër mend të kthehemi në një situatë të tillë, ku hapësira politike do të zhdukte praninë dhe rolin e ndërkombëtarëve në zhvillimet e vendit. Efekti i parë i këtij operacioni do të ishte një rrezik i hapur për të rënë një tirani apo izolim të ri. Një hapësirë politike lokale pa praninë e ndërkombëtarëve do të "zhdukte" çdo kujdes të pushtetit për të qenë i kujdesshëm dhe luajal në skenën politike me opozitën apo me elektoratin. Prania e komunitetit ndërkombëtar është një presion mjaft pozitiv kundrejt aktorëve lokalë, në mënyrë që këta të fundit të sillen sa më konform procedurës demokratike. Ndërsa një hapësirë politike ku ndërkombëtarët "do të zhdukeshin", është jo vetëm e paimagjinueshme për kontekstin lokal dhe rajonal të sotëm, një gjë e tillë është po aq e padëshirueshme nga komuniteti politik lokal. Përveç ndonjë aktori episodik, edhe apo mediatik, edhe pas kritikave në rritje për aksioni ndërkombëtar në Shqipëri, ligjërimi i aktorëve shoqërorë është i tillë që pranon nevojën e kësaj pranie ndërkombëtare në skenën politike lokale. Po nga ana tjetër, mënyra se si e strukturon aksionin politik komuniteti ndërkombëtar atje, mbetet një problem i hapur. Një hapësirë politike e tillë, me praninë e kësaj forme, kësaj cilësie dhe këtyre përmasave të komunitetit ndërkombëtar në strukturimin e aksionit, shndërrohet vërtet në një "tjetër gjë". Në të njëjtën kohë kriteret e vlerësimit dhe gjykimit të një hapësire "politike hibride" në funksion të legjitimitetit të pushtetit dhe legjimitetit të aksionit të tij politik, mbeten për t’u riparë. Ato nuk mund të jenë kurrsesi ato të parat, ku kjo hapësirë politike dhe sjellja e aktorëve lokalë do të bëhej në funksion të kritereve të "legjitimitetit racional". Nga ana tjetër, nuk mund të flasim as për një "sovranitet ndërkombëtar" ndaj Shqipërisë. Ky i fundit as nuk është i vendosur zyrtarisht dhe as kriteret praktike të tij në terren nuk janë të tilla. Implikimet e brendshme të gjithë kësaj i ndeshim përditë në mënyrën se si strukturohet aksioni politik i brendshëm, se si misionet ndërkombëtare apo evropiane janë të instaluara në pothuaj çdo ministri apo fushë të veprimtarisë së qeverisë, se si marrëveshjet për reformën elektorale, janë bërë dhe bëhen ende nën asistencën e OSBE-së apo të BE-së. * Autori është pedagog në Universitetin Evropian të Tiranës. Ai është doktorant në filozofi politike. Ka kryer master për filozofi politike në universitetin PARIS 8, Francë dhe është diplomuar për shkenca politike në Universitetin Paris 8, Francë. A [1] Marrëveshja e Shqipërisë me OSBE, për misionin e OSBE në Shqipëri, gusht 1997 [2] Max Weber “Economie et societe” , editions PLON, Paris 1972, faqe 78 [3] ZP, 30 nëntor 2001, faqe 1 [4] MaxWËeber “Economie et societe” , editions PLON, Paris 1972, faqe 69 [5] ( Ferrero, Guglielmo, Pouvoir: les génies invisibles de la cité, editions Les livres de poche, colléction essais, Paris 1988, page 173).
|
Numrat e Revistës Polis
Më të lexuarat
Who's Online
We have 3 guests onlineMenuja kryesore
| HOME |
| RRETH POLIS |
| BORDI EDITORIAL |
| STANDARTI I CITIMIT |
| KRITERET E VLERËSIMIT |
| KONTAKT : . |

Login Form






![]() | Sot | 91 |
![]() | Dje | 103 |
![]() | Kete jave | 266 |
![]() | Javen e shkuar | 618 |
![]() | Kete muaj | 721 |
![]() | Muajin e shkuar | 3837 |
![]() | Gjithe vizitat | 35734 |
Your IP: 38.107.191.98
,
Today: Sep 08, 2010









